Kryetari i Rahovecit lavdëron punën e KEDS-it në këtë komunë
Smajl Latifi kryetar i ri i komunës së Rahovecit, një prej detyrave të para prej se ka marrë udhëheqjen e kësaj komune, thotë ta ketë pasur edhe përcjelljen e mbarëvajtjes së bashkëpunimit komunal me KEDS-in.
KEDS ka shtrirë projekte të mëdha investive në territorin e komunës së Rahovecit dhe kjo ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e furnizimit me tension stabil dhe kualitativ si dhe ka ulur rrezikshmërinë bashkë me humbjet, për çka kryetari Latifi shprehet i kënaqur.
Kryetari Latifi tregon për projektet që janë realizuar, përderisa pret që në vitin 2018 projekte të tilla të shtohen në komunën që ai e drejton.
“Guri i kuq”, Sopniqi, Kramoviku, Drenoci edhe Pataqani janë kryer si projekte investive nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS. Shtylla të reja betoni, kabllo, trafo, trafo të blinduara, pra këto kanë qenë pjesë të investimit në këto pjesë dhe fshatra”, shprehet Latifi.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë që rrjeti elektrik në këtë komunë ka ndryshuar dukshëm për të mirë, dhe se bashkëpunimi me komunën ka qenë i shkëlqyeshëm.
“Rahoveci është ndër ato komuna ku bashkëpunimi me komunë ka qenë i shkëlqyeshëm. Aty ku ka gatishmëri të nivelit më të lartë nga të dy palët, sigurisht që edhe punët ecin shumë më shpejt dhe shihen rezultatet. Sot, gjendja e rrjetit në shumë pjesë të kësaj komune ka ndryshuar dukshëm për të mirë. Mijëra qytetarë të kësaj pjese të Anadrinit mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre normalisht. Kjo na jep motiv që të vazhdojmë tutje, të jemi sa më afër qytetarëve”, tha Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Kryetari i Rahovecit më tej deklaron se brenda kësaj periudhe të 2018-ës presin që të përfundoj tërësisht edhe një investim serioz nga ana e KEDS-it e i cili sipas Latifit kap vlerën prej 240 mijë eurosh.
“Tani çfarëështë me rëndësi dhe për çfarë kemi dakordancë është investimi që pothuaj është në finalizim, e që përfshinë vlerën prej 240 mijë eurosh nga ana e KEDS-it, me të cilin 30 % e zonës së qytetit pajisen me kabllo nëntokësorë të furnizimit me energji. Kjo është shumë e mirëpritur”, shton kryetari i Rahovecit.
Kreu i Rahovecit shton se falë bashkëpunimit të mirë me KEDS, edhe Ratkoci edhe Malësia e vogël ndjejnë shpejt investimet nga KEDS. Latifi premton se KEDS i ka dyert e hapura për çdo kërkesë në drejtim të komunës, e cila ndikon në përmirësimin e infrastrukturës energjetike për qytetarët rahovecian.