Kryetari Rama dhe Kryeshefi i “Prishtina Parking” propozojnë largimin e pagesës për veturën e parë për banorët rezident
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se bashkë me Kryeshefin e Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Sokol Havollin, do t’i propozojnë Kuvendit Komunal largimin e pagesës për veturën e parë për banorët rezident.
Sipas Ramës, mundësitë financiare e lejojnë këtë ndryshim dhe nuk cënojnë investimet. Ai ka bërë me dije se rregullorja është tashmë gati për votim në Kuvend Komunal.
“Dhe jemi shumë të kënaqur që për një kohë të shkurtë kemi arritur të kthejmë konceptin nga një ndërmarrje e kundërshtuar në një ndërmarrje të kërkuar nga lagjet. Kemi ende punë, përmirësime dhe investime për të realizuar me Prishtina Parking”, ka shkruar Rama.
Tutje, Rama ka thënë se sot Prishtina Parking nuk i realizon shërbimet e terrenit përmes nënkontraktorëve të shtrenjtë, por me mjete dhe automjete të saja. Sipas Ramës, me blerjen e automjeteve dhe pajisjeve tjera të terrenit ka arritur që t’i kursej rreth 1 milion euro për periudhën 2023-2025.