Kryetari Veseli viziton Tropojën dhe Alpet shqiptare
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëheresh lider i PDK-së, sot ka vizituar vendlindjen e heroit Tahir Sinani në Tropojë si dhe ka eksploruar bukuritë përrallore të alpeve shqiptare.
Ja postimi i plotë i Kryetarit Veseli, pas vizitës në Tropojë:
Për të kujtuar e nderuar veprën e Tahir Sinanit, njërit prej heronjve më të lavdishëm të luftës sonë për liri, u ndala për vizitë në shtëpinë e tij në Bujan të Tropojës. Me fëmijët, vëllezërit, nipat e mbesat e tij bisedova për heroizmin e Tahirit dhe për kurajon që ai iu jepte bashkëluftëtarëve të tij përpara çdo beteje me trimërinë e tij të rrallë. I lindur e rritur afër kullës së Mic Sokolit, Tahir Sinani ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës për liri të popullit tonë dhe duhet të shërbejë si model frymëzimi për brezat e ardhshëm të të rinjve.
Në faqen e tij zyrtare Facebook, Kryetari Veseli ka treguar për shtegtimin në Alpet shqiptare, derisa ka ndaluar nëpër stanet e malësorëve për të provuar kos, qumësht e djath.
Veseli pati edhe një porosi për bashkëatdhetarët, që përveç bregdetit, gjatë pushimeve mos të lënë pa shijuar edhe alpet e mrekullueshme shqiptare.
Ky është postimi i plotë i Z. Veseli:
Vendosa të shkoj në festën “Mirësevini në Alpet Shqiptare” që zhvillohet nesër në Guci pikërisht duke udhëtuar nëpër alpet përrallore shqiptare. Pak më herët mbërrita në Vuthaj, duke kapërcyer Qafën e Borit, pasi u nisëm prej Çeremit të Tropojës. Përveç hijeshisë së rrallë të këtyre bjeshkëve, ajo që e bënte edhe më të bukur këtë rrugëtim të sotshëm ishte bujaria e malësorëve zemërgjerë të cilët nuk na linin ta vazhdonim rrugën pa u ndalur nëpër stanet e tyre për të provuar pak nga kosi, qumështi e djathi i tyre. Ftoj bashkatdhetarët e diasporës që kthehen në pushimet e verës, që përveç bregdetit shqiptar, të mos lënë pa shijuar alpet e mrekullueshme shqiptare.