Kryetari i Vushtrrisë heq derën e zyrës për të qenë afër qytetarëve
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri gjatë kohës së fushatës zgjedhore në njërin nga debatet televizive kishte thënë se nëse zgjidhet në këtë pozitë zyra e kryetarit do të jetë gjithmonë e hapur për qytetarët e Vushtrrisë.
Ai atëherë kishte thënë se kjo zyrë nuk do të jetë siç është me kryetarin e tanishëm që duhet kaluar tre persona të sigurimit për t’u takuar me të.
Tahiri pas zgjedhjes si kryetar i komunës duket se ka mbajtur premtimin e dhënë për afërsinë e tij me qytetarët e Vushtrrisë.
Në një fotografi të takimit të Tahirit me qytetarët e Vushtrrisë shihet se ai ka hequr bnga vendi i saj edhe derën e zyrës së tij.
I kontaktuar nga KALLXO.com Tahiri tha se gjithmonë do të jetë afër qytetarëve të Vushtrrisë.
“Unë kam thënë edhe më herët edhe tani se zyra e kryetarit do të jetë gjithmonë e hapur për qytetarët e Vushtrrisë”, u shpreh Tahiri.
Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike fitoi zgjedhjet në Komunën e Vushtrrisë, pas balotazhi me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës Ferit Idrizin.
Tahiri nisi detyrën e tij të mërkurën.