Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese flet për vrasjen e grave: Dështim i shtetit dhe shoqërisë
Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka folur në lidhje me dhunën ndaj grave.
Gjatë konferencës “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive”, Caka-Nimani, ka përmendur vrasjen e disa grave, përfshirë të Diana Kastratit dhe Sebahate Morinës.
“Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila është e bazuar mbi praktikën gjyqësore evropiane për të drejtat e njeriut, duhet të ketë rol parësor në dialogun gjyqësor për zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazinë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive të shtetit për mbrojtjen e së drejtës në jetë. Kjo e fundit vë në pah një fenomen i i cili ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim kolektiv, vrasjen e grave. Në këtë kontekst kujtoj që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë me rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej, rishtazi, Gjykata sërish konstaton shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkelje e së drejtës në jetë në rastin e Sebahate Morinës. Këto dy gra, qytetare të Republikës së Kosovës, viktima të mentalitetit dhe shoqërisë, dhe viktima të dështimit të përmbushjes së detyrimeve të institucioneve shtetërore fatkeqësisht nuk janë të vetme”, ka thënë ajo, njofton “KK”.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, ka theksuar se vrasja e tyre është një rrëfim i trishtë.
“Më 7 gusht 2018, një grua e vrarë nga burri i saj, bashkë me vajzën e saj, në prani të familjarëve vetëm sepse kishte guxuar të refuzoj të kthehet në martesën e karakterizuar me dhunë të vazhdueshme në familje. 6 gusht 2019, një grua e vrarë duke pritur taksin që e kishte thirrur vajza e saj për ta shpëtuar nënën nga aktet e dhunës nga burri i saj. 25 qershor 2020, një grua e vrarë në prani të fëmijëve nga bashkëshorti i saj i dënuar paraprakisht për dhunë në familje. 5 janar 2022, një grua tjetër e vrarë me 6 plumba në prani të vajzave, i dënuar për dhunë në familje. As këto nuk janë gra të vetme, po i përmend vetëm sepse rastet që ndërlidhen me vrasjet e tyre tashmë kanë përfunduar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Inicialet e grave të vrara nuk janë thjesht statistika, inicialet e tyre reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që i janë nënshtruar dhunës në familje. Reflektojnë dështimin e shtetit, dështimin e shoqërisë, për më tepër, inicialet e tyre thërrasin për bashkërendim dhe mobilizim të menjëhershëm në identifikimin e arsyeve strukturore që rezultojnë në pabarazi e dhunë në familje”, ka thënë kryetarja Caka-Nimani