
Kryetarja e Gjykatës Speciale nesër viziton Kosovën
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova nesër (e martë) do ta vizitojë Kosovën. Bashkë me të në vizitë do të vijë edhe administratorja e kësaj gjykate, Fidelma Donlon.
Trendafilova dhe Donloni pritet që të flasin lidhur me mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në kuadër të Dhomave të Specializuara. Kjo është bërë me dije nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media ditë më parë nga Specialja.
“Takimi ndërveprues shënon fillimin e një angazhimi të shtuar të Kryetares dhe të Administratores në veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit të DhSK-së. Duke pasur parasysh rregulloret e shëndetit dhe të sigurisë si rezultat i pandemisë globale Covid-19, Kryetarja dhe administratorja po shfrytëzojnë mundësinë e parë për të udhëtuar në Prishtinë për t’u takuar me shoqërinë civile dhe të tjerët”, ka njoftuar Gjykata Speciale.
Po ashtu, Trendafilova pritet të vizitojë edhe veriun e Mitrovicës.