Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë pritet nga Papa Françesku
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj, janë pritur në audiencë nga ati i shenjtë, Papa Françesku.
Françesku ka thënë në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe ka theksuar se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre.
Duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, Ati i Shenjtë ka theksuar se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, pasi e ka falënderuar Atin e Shenjtë për audiencën, e ka njohur me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane të popullin shqiptar.
Po ashtu, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve për përkushtimin e Atit të Shenjtë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.
“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri”, ka thënë Nikolla.