Kryetarja e LSI-së: Nesër do t’u bashkohemi studentëve
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka vazhduar me turin e takimeve me strukturat e kësaj partie në rrethe.
Pogradeci dhe Korça kanë qenë destinacionet e kryetares së LSI-së për këtë të diel, teksa Kryemadhi ka folur para strukturave të partisë në qytetin liqenor.
Protesta e studentëve si reflektim i gjendjes së vështirë ekonomike dhe lidhjet e forta të qeverisë me oligarkët, kanë qenë në themel të fjalës së kryemadhit para anëtarëve të LSI-së në Pogradec.
“Gjithë Shqipëria është e mbytur nga varfëria dhe protesta e studentëve reflekton gjendjen e vërtetë ekonomike të familjeve shqiptare. Qeveria po shkreton vendin duke u dhënë paratë emigrantëve dhe duke vrarë të ardhmen për rininë”, tha mes të tjerash Monika në Pogradec, raporton “TCh”.
Ndërkohë, më vonë në qytetin e Korçës, Monika Kryemadhi, u ka bërë thirrje qytetarëve korçarë, por edhe atyre në të gjithë Shqipërinë, që t’i bashkohen nesër protestës së studentëve në kryeqytet.
“Nesër të gjithë ju duhet të vini në Tiranë, të merrni me vete edhe të afërm e familjarë tuajt, për të mbështetur studentët në protestën që nuk është vetëm e tyre, por e gjithë shqiptarëve. është protesta për të shporrur qeverinë e krimit nga pushteti, ndaj duhet të jemi të gjithë atje”, ka thënë Kryemadhi.