Kryeziu: Kalimi i ligjeve pa imputin e opozitës dëmton qytetarët, jo Qeverinë

25 tetor 2018 | 12:31

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se grupet parlamentare duke bojkotuar seancat e Kuvendit po e humbasin mundësinë që politikat dhe idetë e partive që përfaqësojnë t’i reflektojnë në ligjet dhe përditshmërinë e qytetarëve që adresohen përmes këtyre ligjeve.

Ai ka theksuar se nuk është e mjaftueshme vetëm kontributi dhe pjesëmarrja në komisionet parlamentare.

“Nga partitë politike të skenës kosovare, aktualisht aktivitet politikbërës është duke zhvilluar vetëm PSD-ja, përmes grupit të saj parlamentar. Grupet parlamentare duke bojkotuar seancat e Kuvendit po e humbasin mundësinë që politikat dhe idetë e partive që përfaqësojnë ti reflektojnë në ligjet dhe përditshmërinë e qytetarëve që adresohen përmes këtyre ligjeve. Nuk është e mjaftueshme vetëm kontributi dhe pjesëmarrja në komisionet parlamentare”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Sipas Kryeziut, kalimi i ndonjë ligji pa imputin e opozitës më shumë e dëmtojnë jetën e qytetarëve se sa Qeverinë!

“Nga ana tjetër bojkotimi i sesioneve plenare dhe mospjesëmarrja në votimin e ligjeve nuk është strategji që rezulton me rrëzimin e qeverisë. Kosova ka aq ligje saqë jo vetëm kjo Qeveri, por secila Qeveri me lehtësinë më të madhe mund të veprojë. Ndaj jo domosdoshmërisht disa ligje mund t’ia cenojnë vendimmarrjen dhe funksionimin e Qeverisë. Mungesa e ndonjë iniciative ligjore, apo kalimi i ndonjë ligji pa imputin e opozitës më shumë e dëmtojnë jetën e qytetarëve se sa Qeverinë!”, është shprehur Kryeziu.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kush je ti? Që shkon e vjen, Si flladi i…