Kryeziu: LV-ja dhe LDK-ja duhet të arrijnë kompromis, presidenti të zgjedhet nga qytetarët
Ismet Kryeziu, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhet të arrijnë kompromis që presidenti të zgjedhet nga qytetarët.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se zgjedhja e presidentit, gjithherë i është nënshtruar përplasjeve dhe ngërçeve politike.
“Kompromisi që duhet ta arrijnë LV-LDK, zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejt nga qytetarët. Zgjedhja e presidentit, gjithherë i është nënshtruar përplasjeve dhe ngërçeve politike. Madje pika me e lartë e mosmarrëveshjeve është shënuar në vitin 2011, kur është nevojitur edhe ndërmjetësimi i partnerëve ndërkombëtare për të ardhur deri te një kompromis, pas të cilit erdhi deri të zgjedhja e znj. Atifete Jahjagës për presidente të vendit, e cila nuk kishte as portofolio dhe as bagazh politik. Aq më tepër ishte e panjohur për pjesën më të madhe të qytetarëve”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka shtuar se jo vetëm zgjedhja, por edhe kundërkandidimi si kriter kushtetues është parë si problematik dhe devalvim i kësaj pozite dhe veprimeve politike për të përmbushur këtë obligim kushtetues. “Ju kujtohet zgjedhja e presidentit Thaçi edhe kundërkandidatit të tij, Rafet Rama”, ka shkruar ai.
Kryeziu ka theksuar se LV-ja dhe LDK-ja pas arritjes se konsensusit për numrin e dikastereve të qeverisë dhe pas harmonizimit të çështjeve programore, patjetër duhet ta kenë si prioritet dakordimin për inicimin e reformës zgjedhore.
“Tani në fazën finale të marrëveshjes kur këto dy subjekte kanë nevojë për kompromise në ndarjen e përgjegjësive qeverisëse, portofolove të veçanta për secilën ministri, për emra të ministrave etj, përmes marrëveshjes për reformë zgjedhore do të shmangnin përplasjet dhe ngërçin rreth pozitës së presidentit. Kompromisi për zgjedhje të drejtpërdrejt të presidentit me votën e qytetarëve, do të duhej të ishte prioritet jo vetëm për koalicionin e tyre; kështu do të prodhohej një zgjidhje edhe për të ardhmen për secilën parti e koalicion që do merrte mandatin për të qeverisur. Do të ishte zgjidhje afatgjate e shmangies së pazareve politike, konfrontimeve, provokimit të zgjedhjeve të parakohshme, do të stoponte degradimin e kësaj pozite e cila është pozita e parë shtetërore dhe do të duhej të kishte vlera të unifikimit qytetar e politik”, ka thënë Kryeziu.
/Epoka e re/