Kryeziu: Mbështetja qytetare për Vetëvendosjen është dyfishuar
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se nga marsi i vitit të kaluar mbështetja për këtë parti është dyfishuar dhe se asnjëherë nuk ka rënë nën 50 për qind.
Ai ka theksuar se në nëntor të viti të kaluar, në Podujevë është dëshmuar se Vetëvendosje është mbi 52 për qind dhe se e tillë do të jetë edhe më 14 shkurt.
“Që nga marsi i vitit të kaluar kur mbështetja qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje është dyfishuar, ajo asnjëherë nuk ka rënë nën 50 për qind. Në nëntor të vitit të kaluar, në Podujevë, na u dëshmua se ajo është mbi 52 për qind. Ashtu do të jetë edhe me 14 shkurt”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kryeziut:
Që nga marsi i vitit të kaluar kur mbështetja qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje është dyfishuar, ajo asnjëherë nuk ka rënë nën 50 për qind. Në nëntor të vitit të kaluar, në Podujevë, na u dëshmua se ajo është mbi 52 për qind. Ashtu do të jetë edhe me 14 shkurt.
Vendimet e KQZ-së, PZAP-së dhe ai i Gjykatës Supreme, të bazuara në një lexim të padrejtë të një aktgjykim kontrovers të Gjykatës Kushtetuese, siç konludoi edhe vet Gjykata Supreme, duhet parë vetëm në raport më garën zgjedhore të 14 shkurtit. Nuk kanë të bëjnë asgjë me vendosjen e standardeve të reja ligjore, respektimin e ligjit apo dekriminalizimin e listave zgjedhore.
Përderisa për Lëvizjen Vetëvendosje! fitorja kuptimësohet jo vetëm duke qenë e para në garë, por duke u bërë shumicë parlamentare, për PLAN-in fitorja kuptimësohet jo në raport me rezultatin e tyre në garë por në raport me rezultatin e Lëvizjes. Për ta fitore është edhe nëse LV-ja fiton vetëm 60 deputetë në vend të 61. Sepse pastaj lehtë bëhen bashkë, bashkë me Listën Serbe.
Ka vetëm dy zgjedhje, edhe do të ketë vetëm një fitues.
Andaj, sot dy javë #krejtdhedrejt fitores.