Kryeziu nënshkruan kontratë tre vjeçare me Prishtinën
Leotrim Kryeziu është lojtar i Prishtinës. Sulmuesi i cili, ishte në pronësi të Luganos në Zvicër dhe luajti te Prishtina si i huazuar, ka vendosur të qëndrojë në kryeqytet.
22-vjeçari ishte një nga lojtarët më të mirë të Prishtinës në sezonin e shkuar dhe dha kontribut të madh në fitimin e titullit kampion. Ai ishte protagonist edhe në dy fitoret e fundit në miniturneun paraeliminator të Ligës së Kampionëve.
Prishtina ka zyrtarizuar sot marrëveshjen me talentin “dardan”, i cili ka firmosur për tre vite. Kontrata me Luganon i përfundonte në verën e vitit 2022, por Prishtina ka gjetur akord me zviceranët dhe ka siguruar shërbimet e bomberit. “Nga huazimi, Prishtina e transferon Leutrim Kryeziun nga Lugano. Për tre vitet e ardhshme skuadra siguron vijën e sulmit”, thuhet në njoftimin e skuadrës prishtinase.