Kryeziu: Partitë politike t’i rikthehen përgjegjësisë dhe veprimit shtetëror
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se miratimi i ligjit për demarkacionin me Malin e Zi është mundësi e humbur për shumë vite, shkaku i angazhimit opozitar agresiv dhe të pakompromis, kundrejt një qeverie të pafuqishme për gjithëpërfshirje, konsensus nacional edhe krativitet politik për të menaxhuar situatat si kjo.
Ai ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se partitë politike nuk duhet që edhe matej të zhvillojnë politika të nxitura nga interesi partiak dhe vullnetin politik të shumicës ta lënë në disponimin e Listës Serbe, e cila në angazhimet e saja politike gjithashtu përpiqet të punojë në favor të interesit partiak të saj.
“VV-ja si pjesë e angazhimit opozitar, duhet të jetë e përgjegjshme e të mos e kundërshtoj sërish këtë version të demarkacionit, ngase me deklaratën e përbashkët të të dy vendeve është lënë hapur mundësia e korrektimit të gabimeve eventuale. Prandaj, pozitë e opozitë, duhet ta votojnë demarkacionin e të mos humbet kohë, që institucionet si Kuvendi dhe Qeveria t’i kthehet institucionit të përgjegjësisë në politikat e brendshme ditore, të cilat janë jo më pak të rëndësishme për të lëvizur nga stagnimi në të cilin po qëndrojmë prej tri vjetësh. Jemi para një mundësie të re që partitë politike t’i rikthehen përgjegjësisë dhe veprimit shtetëror për çështje, të cilat kërkojnë vendimmarrje konsensuale dhe larg interesave partiake”, ka shkruar Kryeziu.