Kryeziu: Reforma zgjedhore dhe ligji për Qeverinë, instrumente për qeverisje të mirë
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se reforma zgjedhore dhe ligji për Qeverinë janë dy instrumente të rëndësisë së veçantë për funksionimin e demokracisë, kualitetin e përfaqësimit dhe rritjen e garancisë për qeverisje të mirë.
Ai ka theksuar se partitë politike e kryesisht ato opozitare, para se të vetëmjaftohen me kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme për ta dërguar në shtëpi këtë qeveri, duhet t’i ndërmarrin këto veprime për të demonstruar idenë dhe përkushtimin e tyre se do jenë alternativë nga kjo qeveri aktuale.
“Duhet të zhvillojnë aktivitete dhe politika, të cilat nxisin masë kritike dhe mobilizojnë qytetarët për nevojën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Jo vetëm me parulla politike, por me veprime konkrete-përmbajtjesore politike. Përndryshe, ideja për zgjedhje të jashtëzakonshme, do vazhdojë të interpretohet si mundësi për të përmirësuar pozitat individuale e partiake, por me pak shpresë që të jenë motiv e angazhim me të cilin do të nxitet shpresa dhe besimi qytetar për platformat dhe politikëbërjen ndryshe”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, përveç individëve e partive, kjo kornizë ligjore për zgjedhje dhe mungesa e ligjit për qeverinë nuk garantojnë e as nuk mund të prodhojnë kulturë tjetër për qeverisje më të mirë!
/Epoka e re/