Kryeziu: Rinumërimi i votave do të garantojë legjitimitetin e procesit zgjedhor
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se pavarësisht vonesave në certifikimin e rezultateve zgjedhore, rinumërimi do të garantojë legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe do shmangë të gjitha dyshimet për manipulim ose deformim të vullnetit qytetar nga ana e komisionarëve.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se rinumërimi nuk pritet t’i ndryshojë rezultatet zgjedhore e as renditjen e subjekteve politike.
“I vetmi subjekt që mund t’i nënshtrohet ndryshimit në rezultatet zgjedhore është koalicioni NISMA/AKR/PD të cilët kanë rezultat shumë të ngushtë, me vetëm 21 vota sa ishin mbi pragun 5 për qind. Numri kaq i vogël prej 21 votave të cilat e bëjnë diferencën e kalimit të pragut ose mbetjes nën prag, potencialisht mund të ndikohen dhe nga gabimi më i vogël gjatë procesit së numërimit e i cili ka mundur të ndodhë më 6 tetor”, ka shkruar Kryeziu.
/Epoka e re/