Kryeziu: Vështirë t’i bashkohet Qeverisë ndonjëra parti
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë të enjten se Kuvendi i Kosovës nuk po arrin ta ushtrojë funksionin e tij mjaftueshëm në vendimmarrje, mbikëqyrje dhe përfaqësim.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se mungesa e kuorumit, gjuha fyese dhe degraduese, përdorimi i mjeteve joparlamentare, si dhe ngecjet në agjendën legjislative janë disa nga veprimet të cilat në masë të konsiderueshme janë duke e dëmtuar demokracinë parlamentare.
Kryeziu ka thënë se Kuvendi prioritet duhet t’i ketë ndryshimet kualitative në Rregulloren e Punës, Ligjin për luftën kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura.
“Fokusi i Kuvendit së pari duhet të jetë kthimi në funksion të rregullt të seancave dhe komisioneve parlamentare. Planifikimet mujore të seancave, mbledhjet e komisioneve si dhe pikat e diskutimit do t’i mundësonin Kuvendit ta fuqizonte rolin e tij dhe t’u rikthehej shumë çështjeve të cilat kanë nevojë për adresim dhe vendimmarrje”, është shprehur ai.
Kryeziu ka folur edhe për largimin e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky subjekt politik tenton që përmes presioneve politike ndaj partnerëve të koalicionit t’i përmbushë synimet e veta. “Është veprim politik i një subjekti politik i cili, në fakt, është shumë më i fuqishëm për shkak se fuqia politike i buron nga Kushtetuta e Kosovës e jo nga pesha e përfaqësimit”, ka theksuar Kryeziu.
Ai ka shprehur skepticizëm se pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, ndonjëra prej partive në opozitë do të mund të hynte në koalicionin aktual qeverisës. Sipas Kryeziut, secili grup parlamentar do ta konsiderojë rrësk të madh dhe sanksionim nga votuesi nëse do të zgjedhte tani t’i bashkohet koalicionit aktual.
“Nuk e di, por konsideroj se është vështirë e realizueshme në këtë kohë. Kemi një spektër politik shumë të fragmentuar dhe shumë kalkulues në votat e votuesve. Prandaj secili grup parlamentar do ta konsiderojë rrësk të madh dhe sanksionim nga votuesi nëse do të zgjedhte tani t’i bashkohet koalicionit aktual”, ka deklaruar ai.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeziu ka thënë se askush nuk ka legjitimitet ta shndërrojë këtë çështje në një betejë politike.
“Se cili do të jetë efekti nuk e di, sepse nuk e di se çfarë niveli dhe cilët do të jenë potencialisht të akuzuarit nga Gjykata Speciale. Edhe pse Gjykata Speciale si institucion i drejtësisë nuk do të duhej të ndikonte në zhvillimet politike, pavarësisht prej arrestimeve potenciale të cilat mund të përfshijnë edhe zyrtarë politikë. E sa i përket asociacionit, mendoj se kjo çështje tani ka një rrugë juridike e kushtetuese dhe nuk ka arsye e as legjitimitet askush ta shndërrojë këtë çështje në një betejë politike”, ka thënë ai.
“Epoka e re”: Z. Kryeziu, si e vlerësoni performancën e punës së Kuvendit të Kosovës gjatë këtyre gjashtë muajve?
Kryeziu: Mungesa e kuorumit ose mospjesëmarrja e deputetëve nëpër seanca plenare dhe mbledhje të komisioneve parlamentare, gjuha fyese dhe degraduese, përdorimi i mjeteve joparlamentare, ngecjet në agjendën legjislative etj. janë disa prej veprimeve të cilat edhe në legjislaturën e kaluar edhe tani në masë të konsiderueshme janë duke e dëmtuar demokracinë parlamentare. Pra, Kuvendi, si pasojë e kësaj papërgjegjësie të një numri të konsiderueshëm të deputetëve, nuk po arrin ta përcjellë dinamikën dhe ta ushtrojë funksionin e tij mjaftueshëm në vendimmarrje, mbikëqyrje dhe përfaqësim.
“Epoka e re”: Një prej të arriturave të kësaj legjislature mund të konsiderohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit. Tash cili duhet të jetë fokusi i Kuvendit?
Kryeziu: Fokusi i Kuvendit së pari duhet të jetë vetë kthimi në funksion të rregullt të seancave dhe komisioneve parlamentare. Planifikimet mujore të seancave, mbledhjet e komisioneve si dhe pikat e diskutimit do t’i mundësonin Kuvendit ta fuqizonte rolin e vet dhe t’u rikthehej shumë çështjeve të cilat kanë nevojë për adresim dhe vendimmarrje. Ndër prioritete mendoj se do të duhej të ishin ndryshimet kualitative në Rregulloren e Punës, Ligji për luftën kundër korrupsionit, reforma zgjedhore, mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, mbikëqyrja e institucioneve të pavarura etj.
“Epoka e re”: Si e shihni largimin e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës pas zhvillimeve të fundit në veri dhe cili do të jetë efekti i largimit të saj?Do të mund të funksionojë Qeveria edhe pa Listën Serbe
Kryeziu: Është veprim politik i një subjekti politik i cili, në fakt, është shumë më i fuqishëm për shkakun se fuqia politike i buron nga Kushtetuta e Kosovës, e jo nga pesha e përfaqësimit. Lista Serbe tenton që përmes presioneve politike ndaj partnerëve të koalicionit të arrijë t’i përmbushë synimet e veta dhe atëherë kur janë përtej fuqisë dhe rolit që mund të ofrojë një koalicion qeverisës.
“Epoka e re”: Mund të presim që ndonjëri prej grupeve parlamentare të partive shqiptare t’i bashkohet Qeverisë Haradinaj?
Kryeziu: Nuk e di, por konsideroj se është vështirë e realizueshme në këtë kohë. Kemi një spektër politik shumë të fragmentuar dhe shumë kalkulues në votat e votuesve. Prandaj secili grup parlamentar do ta konsiderojë rrësk të madh dhe sanksionim nga votuesi nëse do të zgjedhte tani t’i bashkohet koalicionit aktual.
“Epoka e re”: Z. Kryeziu, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale a mund të provokojnë zgjedhje të reja?
Kryeziu: Se cili do të jetë efekti nuk e di, sepse nuk e di se çfarë niveli dhe cilët do të jenë potencialisht të akuzuarit nga Gjykata Speciale. Edhe pse Gjykata Speciale si institucion i drejtësisë nuk do të duhej të ndikonte në zhvillimet politike, pavarësisht prej arrestimeve potenciale të cilat mund të përfshijnë edhe zyrtarë politikë. E sa i përket asociacionit, mendoj se kjo çështje tani ka një rrugë juridike e kushtetuese dhe nuk ka arsye e as legjitimitet askush ta shndërrojë këtë çështje në një betejë politike.
Shqipe HETEMI