Kthehen në vendlindje eshtrat e Rifat Berishës, i zhdukur para 27 vjetëve në Bosnje
Rifat Berisha nga fshati Gurbardh i Komunës së Malishevës 27 vjet më parë ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni. Pas 27 vjetëve të zhdukjes janë gjetur eshtrat e tij dhe të mërkurën janë kthyer në vendlindje, pranë familjes dhe fisit të tij, në Gurbardh.
Eshtrat e të ndjerit Rifat Berisha janë pranuar nga familja në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ndërsa në pranimin e arkivolit, krahas familjarëve, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj.
Nënkryetari Berisha e ka përshkruar “si një moment emocionues gjetjen pas 27 vjetëve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje të Rifat Berishës. Me këtë rast, nënkryetari Berisha ka bërë me dije se në Komunën e Malishevës vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.
Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit kur e ka parë prindin, kur ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij ishte nisur për të shkuar në Slloveni, në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë luftës atje. “Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari, për 27 vjet, derisa e kemi gjetur, prandaj u bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”, ka thënë Dritoni, duke e falënderuar Komunën e Malishevës për përkrahje.
/Epoka e re/