Kthehet në punë shefi i burgut të Dyzit, bëri “shkelje të lehtë”
Shkelje të lehtë e ka vlerësuar Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë pjesëmarrjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, në një aheng, gjatë kohës së pandemisë. Buleshkaj është kthyer në punë katër javë pas shqiptimit të masës së suspendimit ndaj tij.
Në ahengun që u organizua gati një muaj më parë dhe kur në fuqi ishin masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, ai ishte shoqëruar nga familjarë politikanësh e persona të dënuar. Në këtë aheng ishin parë edhe dy zyrtarë policorë, të cilët po ashtu janë suspenduar.
Rikthimin në punë të Buleshkajt e ka konfirmuar për KOHËN Nehat Thaçi, drejtor i Shërbimit Korrektues.
“Është shqyrtuar rasti. Zyrtarit i është dhënë vërejtje, pra është konstatuar shkelje administrative e lehtë”, ka bërë të ditur Thaçi. Ai ka thënë të mos jetë në dijeni nëse ka hetim penal ndaj Buleshkajt.
Rreth 50 plumba ishin shprehur në ahengun ku protagonist ishte edhe u.d. i drejtorit të Burgut në Dyz.
Drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, ka thënë se nga rezultatet balistike është konstatuar se plumbat nuk janë shkrepur nga arma zyrtare e Buleshkajt.
Analizat e gëzhojave, siç është informuar KOHA, nuk janë as të armëve të zyrtarëve policorë, e të cilët ende janë duke vuajtur masën e suspendimit.
“Plumbat që janë shkrepur aty nga rezultatet kanë dalë që të mos jenë nga armët zyrtare të policisë”, ka thënë ky burim.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se janë duke e pritur rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Ende nuk kemi rekomandim nga IPK-ja. Në momentin që vjen rekomandimi, ne do të ndërmarrim veprime”, ka thënë ai.
Në ahengun e organizuar muajin e kaluar në Shalë të Bajgorës i pranishëm ishte edhe shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri. Në shoqërinë e një zyrtari policor dhe drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, ata janë parë teksa bëjnë qejf me birra e me meze. Siç i kanë thënë burimet KOHËS, por edhe nga fotografitë e bëra publike, me këta zyrtarë shtetërorë kanë qenë edhe vëllezërit e politikanëve, përkatësisht Hashim Thaçit e Rustem Mustafës. Dyshohet se afro 50 plumba janë shkrepur gjatë asaj ndeje. Organizimi i tubimeve në kohë pandemie është në kundërshtim me vendimin mbi masat e emergjencës shëndetësore, përkatësisht kufizimin e lëvizjes.
Përveç zyrtarëve të Policisë e të Ministrisë së Drejtësisë në “piknik” kanë qenë edhe të tjerë persona, përfshirë Blerim Poterën, i njohur për drejtësinë. Potera ka qenë i dënuar dhe, sipas raportimeve të mediave vitin e kaluar, ai është arrestuar tri herë. Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë publikisht ka thënë se Potera ka të kaluar kriminale.
“Procedura penale ndaj B.P. është zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda, ku ai është akuzuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, nga neni 188, par.1, nënpar.1.1 të KPRK-së dhe është dënuar me dënim gjobe në shumën prej 600 eurove”, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.