Kthehet në rigjykim çështja e pezullimit të ndërtimit të “Rrugës A” në Prishtinë
Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” sh.p.k, duke e kanë kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje në dhomën e shkallës së parë.
“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas vendimit të shkallës së dytë, Kolegji në vështrim të dispozitave ligjore lidhur me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, kontestuese në këtë fazë të procedurës vlerësoi se gjykata e shkallës se parë për objekt shqyrtimi dhe vlerësimi ka vetëm kriteret ligjore të përcaktuar dhe jo edhe vlerësimin e ligjshmërisë se aktit administrativ kontestues.
“Kolegji vlerëson se arsyetimi i aktvendimit të shkallës së parë nuk është formuluar konform nenit 160 të LPK-së, që përcakton strukturën dhe përmbajtjen që duhet ta ketë një vendim gjyqësor për të qenë i drejtë dhe i ligjshëm”.
Ndryshe, pas ndalimit të punimeve në rrugën “A” ku gjyqtarja që e ka marrë këtë vendim është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama pati thënë se rruga do të bëhet.
“Në videon më poshtë mund të shihni trasenë e rrugës dhe të kuptoni rëndësinë e veçantinë e kësaj rruge 6 kilometra, e cila do të lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” me Prishtinën e Re, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat, eliminuar në tërësi kundërmimin e ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” dhe rritur zhvillimin ekonomik në Kryeqytet”, theksoi Rama.
Kryetari i Prishtinës, vendimin e Gjykatës Komerciale për t’i ndalë punimet në “Rrugën A”, e kishte konsideruar si një vendim që është i bazuar në interesa politike e grupe interesi, pasi që gjyqtarja që e ka marrë këtë vendim është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Ai kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.
Reagime të shumta për ndalimin e kësaj rruge kishte pasur edhe nga partitë opozitare nga ta sjellja në një rast të tillë tregon për një veprim të kontaminuar.