Kthehet në rigjykim rasti i Pjetër Ndrecajt, i dënuar me burgim të përjetshëm
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta kthej në rigjykim rastin e Pjetër Ndrecaj, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për shkak të vrasjes se gruas dhe vajzës së tij.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarit P.N, nga Gjakova, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të datës 19 nëntor 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të datës 31 janar 2019, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 16 maj 2019, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.N., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje”.
“Ndaj të akuzuarit P.N., është vazhduar paraburgimi. Gjykata Supreme, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale, bazuar në faqen e tretë të procesverbalit të shqyrtimit fillestar, ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: ‘E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht’”, ka njoftuar Gjykata Supreme e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi Kolegji i Gjykatës Supreme, ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 paragrafi 1 dhe nënparagrafi 1.11 i KPK-së, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”.
“Me kthimin e çështjes në rivendosje, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së parë, në aspektin formal, duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, mirëpo të mos e pranoi fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/