Kthesa politike që rezultoi me fitoren diplomatike

24 dhjetor 2024 | 11:13

(Recension rreth librit të Bardhyl Mahmutit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Në shënjestër të vazhdueshme”)

Dr. Sabri Kiçmari

Në tetor të këtij viti doli nga shtypi libri i politikologut Bardhyl Mahmuti me titullin sinjifikativ “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Në shënjestër të vazhdueshme”. Libri u botua nga gazeta jonë e mirënjohur “Epoka e Re”. Pjesa dërmuese e librit është një bashkëbisedim në mes të Bardhyl Mahmutit dhe Muhamet Mavrajt. Mavraj, në rolin e intervistuesit, është shumë mirë i informuar, i njeh mirë temat dhe zhvillimet dhe e drejton komunikimin me Bardhyl Mahmutin me një shkallë të lartë kujdesi, profesionalizmi dhe reflektimi.
Në libër kemi të bëjmë me një shqyrtim të kujdesshëm të dimensioneve historike, diplomatike dhe politike të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Në përgjigjet e tij Bardhyl Mahmuti reflekton për nocione politike, ngjarje historike, takime diplomatike, procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale dhe një numër temash që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën e saj për liri.
Karakteristikë e librit është pasqyrimi realist i procesit të krijimit, operimit ushtarak dhe veprimit diplomatik të UÇK-së. Bardhyl Mahmuti nuk fokusohet shumë në përshkrimin e ngjarjeve të veçanta, por në bazamentin politik të krijimit dhe veprimit të UÇK. Ai e vë theksin te përpjekjet diplomatike që e shndërruan atë nga cilësimi si “organizatë terroriste” në një organizatë që njihet ndërkombëtarisht se lufton për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Libri është i pajisur me një numër dokumentesh, fotografish dhe materialesh që kanë rëndësi historike. Në disa pjesë të librit, Bardhyl Mahmuti shfaqet edhe si polemist i ashpër, shumë i angazhuar për të vërtetën historike.
Duke qenë aktor i drejtpërdrejtë dhe shumë i rëndësishëm në komunikimin diplomatik, sidomos në cilësinë e drejtuesit të Grupit të Parfaqësuesve për Komunikim Diplomatik të UÇK, Bardhyl Mahmuti i ofron lexuesit detaje të komunikimit me diplomatët amerikanë Robert S. Gelbard dhe Richard C. Holbrooke, ministrin e jashtëm austriak, Volfgang Schüssel, i cili flet në emër të 15 vendeve të BE, pastaj kryetaren e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamenti Evropian, Doris Pack etj. Përmes këtyre komunikimeve vie deri te kthesa politike, e cila rezulton me fitoren diplomatike të UÇK.
Bardhyl Mahmuti shpjegon për lexuesit përpjekjet diplomatike, si një fushëbetejë morale dhe politike, ku përfaqësuesit diplomatikë të UÇK duhej të shpjegonin qëndrimet e tyre për shkak të propagandës së ashpër të Serbisë kundër tyre. Ata shpjegojnë se lufta e UÇK nuk ka karakter ideologjik, por çlirimtar, se UÇK nuk përdorë forma terroriste të veprimit, por vetëm forma të luftës së drejtë çlirimtare, se UÇK jo vetëm që nuk e përkrah dhe as nuk pranon mbështetje nga rrethet fundamentaliste islamike, por është rreptësishtë kundër tyre. Në këtë mënyrë rrethet ndërkombëtare fillojnë të kuptojnë jo vetëm platformën politike të UÇK, por edhe të respektojnë dinjitetin e luftëtarit që angazhohet në luftë për liri dhe pavarësi.
Përmes shembullit të vrasjes së fëmijëve serbë nga sigurimi i fshehtë serb, në rastin Panda, i cili në ndërkohë u pranua nga vet udhëheqja shtetërore serbe si krim i kryer nga sigurimi i fshehtë serb, Bardhyl Mahmuti e dekonstrukton mendësinë kriminale të shtetit okupator serb në vitin 1998-1999. Përkundër propagandës serbe për të dezinformuar, mashtruar dhe gënjyer, UÇK arrin të ndikojë të vije deri te reflektimi mbi të vërtetën dhe domsodoshmërinë e rezistencës ndaj padrejtësisë epistemike. Në këtë kontekst, Bardhyl Mahmut shpjegon aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, ndërlidh luftën e UÇK me temat universale të çlirimit, duke sintetizuar botëkuptimin se lufta për liri dhe pavarësi është luftë për njohje, në një botë që shpesh tenton të çnjerëzojë të shtypurit.
Bardhyl Mahmuti del në mbrojtje të hapur edhe të drejtuesve të UÇK-së (ish presidentit Hashim Thaçi, ish kryetarëve të Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish deputetit Rexhep Selimi) dhe një numri më të madh të bashkëluftëtarëve të tyre që po mbahen në Hagë, duke u përballur nga akuza për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Në bashkëbisedim me Muhamet Mavrajn, Bardhyl Mahmuti argumenton se i ashtuquajturi “raport i Dick Mary-t”, që u aprovua nga Këshilli i Europës, ishte në fakt një raport i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Mendoj se është interesant për lexuesin të përmendim faktin se përkundër asaj që më 31 tetor 2018, gjatë përurimit të librit të tij “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie – CIA-Kosovo- drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga), Dick Maty, premtoi publikisht se do të ballafaqohej me Bardhyl Mahmutin pasi të ketë lexuar librin e tij, më pas ai e refuzoi sfidën publike të Bardhyl Mahmutit.
Libri i Bardhyl Mahmutit shpjegon kontekstin historik dhe politik, është një lloj meditimi për natyrën e rezistencës për liri, drejtësi dhe pavarësi. Ai e vë theksin te rëndësia e veprimit diplomatik, si një mjet i rëndësishëm për të shpjeguar drejtësinë e luftës për liri dhe për të argumentuar vlerat politike të rezistencës kundër shtypjes dhe robërisë. Prandaj, ky libër është një dokument i rëndësishëm shpjegimi për studiuesit.
Intervista e Bardhyl Mahmutit është një rrëfim i dorës së parë për luftën e UÇK, për qëndrimet e saj dhe filozofinë e saj politike, vlerat politike që përfaqësonte dhe betejat diplomatike për të vërtetën, të drejtën dhe të ardhmen. Libri është një lloj ftese për të gjithë ata që merren me të kaluarën që të reflektojnë jo vetëm për sakrificat dhe betejat politike e diplomatike të UÇK, por edhe filozofinë politike, etikën politike dhe veprimet diplomatike që qëndrojnë në themel të luftës për liri dhe pavarësi.

Ku mund ta gjeni librin?
Në Kosovë, lexuesit e intetresuar mund ta gjejnë në zyret e gazetës “Epoka e re”, që është botuese i këtij libri, në adresën: Sheshi “Nena Tereza”, rr. Edit Durham” nr.45 Prishtinë. Ndërkaq lexuesit që jetojnë në shtetet e demokracive perëndimore, librin mund ta sigurojnë nëpërmjet Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, https://kosovogenocide.com/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar përfshirjen e këngëtares…