“Kthimi” i Halimit del nga shtypi
Ditë më parë ka dalë nga shtypi romani “Kthimi” i autorit Shkëlzen Halimi. Ngjarja e romanit zhvillohet brenda një nate. Magjia e kësaj vepre konsiston në rrugëtimin e rrëfimtarit për ta shpëtuar Vëllanë e Vogël nga një sëmundje e rëndë.
Në parathënien e këtij libri kritiku Ahmet Selmani, ndër të tjera, shkruan: “Në vizionin e ngushtë dhe të gjerë të rrëfimtarit ai është ngarkesë shpirtërore, ëndërr dhe zhgjëndërr, realitet dhe mit, përjetim dhe kujtim etj. Sipas kësaj, ai vërtet nuk ekziston fizikisht por, megjithatë, ekziston shpirtërisht. Kujtesa e fuqishme e rrëfimtarit na shpie në zonat më misterioze të imagjinatës, duke krijuar edhe shtigje enigmatike nëpër të cilat duhet të kalojmë patjetër për ta plotësuar përfytyrimin tonë. Ai e vë në sprovë ndërgjegjen, e thërret edhe në ëndërr dhe në zhgjëndërr, i fanitet para syve dhe i zhduket njëkohësisht, e tërheq drejt varrit të vet, por edhe e bën të largohet, e detyron të udhëtojë nëpër kohët e shkuara, por e kthen edhe në të tashmen, ia trazon kujtimet, por edhe ndjesitë”.