Kthimi i qytetarëve nga Siria e bëri Kosovën referencë globale kundër terrorizmit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se Kosova është marrë si referencë nga ShBA-të, kur flitet për masat në luftën kundër terrorizmit global.
“Ndër vendimet më të vështira dhe puna më e ndjeshme që kam bërë gjatë këtij mandati si ministër i Drejtësisë, ka qenë vendimi për kthimin qytetarëve tanë që gjendeshin në zonat e luftës në Siri. Kam qenë i vendosur që emri i Republikës së Kosovës të mos jetë referencë e asnjë aktiviteti që lidhet me terrorizmin dhe po ashtu, shumë i vendosur që fëmijët dhe viktimat e manipulimit të mos mbeten në zona të konfliktit. Sot, të dyshuarit janë para drejtësisë dhe ballafaqohen me të, ndërsa fëmijët në rehabilitim dhe kanë filluar një jetë re”.
“Republika e Kosovës ka treguar kështu përkushtimin e plotë ndaj rendit dhe ligjit, por po ashtu përkushtimin ndaj shtetasve të saj. Jam krenar që falë këtij përkushtimi, sot Republika jonë është referencë globale kundër terrorizmit dhe referencë globale për rigjenerimin social të viktimave të kësaj dukurie. Ky përkushtim tashmë ka marrë kredencialet e veta edhe nga Uashingtoni dhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/