“Kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është iluzion”
Ish-kreu i Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi dhe anëtar i partisë “Srbija Centar”, Petar Boshkoviç, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka thënë se hyrja e ushtrisë serbe në Kosovës është një iluzion.
“Hyrja e ushtrisë në Kosovë është iluzion, të mos e gënjejmë veten. Nuk kemi fuqi të hyjmë në Kosovë. Prandaj, është një iluzion”, tha ai.
Ndryshe, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, në një konferencë të përbashkët për media me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, ka thënë se “do të hyjmë në Kosovë nëse Vuçiçi jep urdhër, por jo pas shpinës së KFOR-it”.
“E edhe atëherë, paraprakisht do t’ia njoftonim KFOR-it, duke respektuar absolutisht normat e së drejtës publike ndërkombëtare dhe ligjit të luftës. Deri më sot, falë zotit, nuk është dashur të marrim një vendim të tillë. Serbia do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që kjo të mos ndodhë në të ardhmen”, ka deklaruar Vuçeviçi.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) i kanë bërë thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë grumbullimin e paprecedent të ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani, përfshirë artilerinë, tanket dhe njësitë e këmbësorisë.