Kthimi në Itakën e poetit
Xhevat HALILI
(Një lexim të vargjeve të përmbledhjes “Ylli i ndritur me kreshtë luani”, të Shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Republikës së Sllovenisë në Shkup, Milan Jazbec, përkthyer nga Fatlume Adili, Shkup, 2020)
Me ambasadorin e nderuar, Milan Kazbec, jemi takuar disa herë. Shkurt a kalimthi, kemi biseduar, pos shumë temave profesionale, edhe për letërsi. Herën e fundit, pasi mësoi më për së afërmi për interesimin tim si dashamirë e adhurues edhe i poezisë, më kërkoi me atë butësinë e “akullt” prej veriori adresën elektronike ku do të mʼi dërgonte vargjet e përmbledhjes “Ylli i ndritur me kreshtë luani” për tʼu hedhur një sy dhe se “do ndjente kënaqësi sikur të dëgjonte një mendim-vlerësim timin”, sepse përmbledhja akoma nuk ishte botuar si libër. I zënë “ngushtë” nga kjo grishje, vargjet i lexova me një frymë. Por, leximi është një gjë tjetër, kurse dhënia e mendimit krejtësisht diç tjetër. Në poetikën e hapur të M. Jazbecit…”fjalët janë të tepërta”, do të thuhet me një rast në manifestimin “Babiloni poetik Ballkanas”.
Përmbledhjen e lartpërmendur Milani e ndanë në dy pjesë: pjesa e parë është titulluar Në anën tjetër të ylberit, ndërkaq e dytë: Nga gjumthi te pagjumi. Kjo ndarje nuk është edhe e paqëllimshme, mbase. Vargjet janë me përkushtim për “Penelopën e Odisesë”.
Edhe motoja: “Pas të 50-tave të gjata, rishtas në të 60-tat e mrekullueshme”, flet se Milani gjysmëshekullin e jetës së gjatë e të “mjaftueshëm” e kapërcen me elegancë të përzgjatur për të shkelur hareshëm në gjysmën tjetër të vet të jetës si të atillë.
Përgjatë leximit të “rrufeshëm” e teleskopik prej “astrologu” të këtyre vargjeve, figura metaforike e yllit dhe e ylberit nuk habit, nuk bezdis e as shqetëson, përkundrazi paraqitet jo pa qëllim. Nga kjo figurë “e ndarjes”, madje do e merr emrin edhe vetë përmbledhja. “Ikja” si mëtim, si dëshirë apo si kërkim-zgjidhje për shpëtim, tek “Ylli…” të duket se është ëndje, kënaqësi, dashje e trase përmes së cilës mendohet të përmbushet dëshira për çmallje! Kjo është dëshirë malli, për tʼu kthyer në shtëpi, në Itakën e poetit, aty ku subjekti lirik e dëshiron edhe fundin, përfundimin dhe “vdekjen”, mbase!
Gjatë leximit të krijohet përshtypja se peri i fortë ku ndërthuren indet e thurjes me tjerrë, si me drugëz veku, me një arsenal fjalësh që me përdorim mjeshtëror poetik, bëhen themel mbi të cilin ngritët e ndërtohet fortë e qëndrueshëm dashuria e paepur poetike. Një dashuri dyshi të munguar që e gjakon si Odise subjekti poetik. Një dashuri që endet në kohë e hapësirë, në ëndërr e në zhgjëndërr, si në realen, dje, sot dhe veçmas nesër, për tʼu ndalur në shtëpi. Në shtëpi, aty ku të pret strofulli, foleja e ngrohtë, mu aty ku si “klloçkë” çelin edhe zogjtë.
Roje e kësaj dashurie, garancë është vetë qielli, kupa qiellore, gjithësia yjore që sogjon e kujdeset që asgjë të mos bjerret, asgjë të mos ndërrojë kahe!…(Te liqeni)…
“…mbi sipërfaqen e gjelbër do të shohim shkëlqimin e shpirtrave tonë…”
Pikërisht si tek “Ylberi përtej shpirtit”, libri për diplomacinë, apo forma e rrëfimit prej novele, te vargjet e përmbledhjes “Ylli i ndritur me kreshtë luani”, gjejmë mënyrën e të shprehurit plot figura stilistike e trope ku ylberi, ky hark i ndritshëm në qiell që krijohet pas shiut, tok me të të shtatë ngjyrat e spektrit të përthyerjes së dritës, bëhet shenjë, simbol, kufi përtej të cilit nuk shkohet lehtë. Nuk kalohet e as përshkohet, shoka e ylberit, mbase, as me lehtësimet me përparësi prej diplomati! Kështu, poeti i ngazëllyer, do të jetë i luaneshës, i saj do të jetë, madje edhe në agim!
Poezia e Milan Jazbecit fiton peshë nga ana përmbajtjesore me frymëzimin spontan, të lehtë, pa sforcime. Ka këtu të vënë në funksion, një vokabular e leksik, të përzgjedhur, të “thjeshtë”, të përditshmërisë, të kapshëm për tʼu ngritur e renditur në nivelin artistik të çdo hapësire krijuese poetike e konkurruese. Kjo, madje edhe për lexuesin e zakonshëm që poezinë e “harxhon” duke e “mbllaçitur” ashtu për pikë të qejfit, pa hatër e hatrime të qëllimta e të paqëllimta.
Kështu vetë vargu, sikur zbret, meqenëse edhe forma e të shkruarit poetik është rrokje-rrokje, pikla-pikla, rrjedhëse nga kupa e qiellit blu, pa teprim e gravitet tokësor nxitues. Është veçse një si rënie e lirë “fluskash” si ato të borës. Ndërkaq që sinusoida vlerësuese ngjitet lart e më lart për të mbërritur e për tʼu renditur në nivelin artistik që do ta pranonte, siç e pranon mbase, çdo horizont pritjeje në hapësirën krijuese poetike.
“Ylli i ndritur me kreshpë luani” i Jazbecit poet, nuk shpërthen siç ka ndodhur me atë fuqinë shpërthyese të dhunshme të Eta Carinae-së, këtij sistemi yjor, të cilit astrofizicientët ia lexojnë gjurmët! Ylli i poetit tonë nuk bie, nuk rrëzohet, por qetë, sillet e risillet në galaktikën poetike, duke e ruajtur me xhelozi imazhin e forcën për të përshkuar trajektoren farfurimë krijuese.
Drita fluerscente, vezulluese që kapet diktueshëm për “kreshtën e luanit”, është fanar marinari për orientim të përmbushjes së dëshirës dhe premtimit të dhënë.
Poetit nuk i rrihet vetëm me plot njerëz të mirë përreth. Jo që ndjen vetmi, porse atë e sëndis ndjenja e mungesës, ajo e vendit të veçuar që nuk e përmbush e as e zëvendëson dot askush. Nuk shuhet malli-gjakim. Ai kërkon gjysmën tjetër, “Qanë pa lot”, i terur, i shtrydhur…në zbrazëti. Ai e ka lënë me kastile, me vetëdije të plotë e enkas derën hapakrah, meqë është i sigurt, e ndjen, pa humbur shpresë, se “Ajo” do të vijë. Poeti ka rezervuar vend, ka lënë një copëz shtrojere pikërisht aty në zemër, në valvule a në barkushe, ku do e strehojë “Atë”, Penelopën besëmadhe, që pret dhe pritet!
Tetovë, në kohë pandemie, 2020