Ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar, në Drenas apo Prishtinë?
Pavarësisht se është marrë vendimi që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Drenas, ai mund të mos ndërtohet aty ku është thënë, por të zhvendoset në Prishtinë. Federata e Futbollit e Kosovës është neutrale lidhur me këtë çështje. “Është projekt i Qeverisë së Kosovës dhe ne nuk kemi asnjë ndikim aty. Dëshira jonë është që të ndërtohet sa më shpejt që është e mundur. Nëse është e nevojshme, jemi të gatshëm të kontribuojmë me një ekip profesional”, ka thënë Agim Ademi, kryetar i FFK-së.
Qeveria Haradinaj, me propozim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, një vit më parë pati marrë vendim që stadiumi kombëtar i Kosovës të ndërtohet në Korreticë të Drenasit dhe jo në Bërrnicë të Prishtinës. Mirëpo vendimi i qeverisë Haradinaj mund të mos jetësohet pasi me ndërrimin e pushtetit, pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, mund të ndryshojë edhe lokacioni i stadiumit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se stadiumi kombëtar nuk do të ndërtohet në Drenas, por në Bërrnicë. Ai ka bërë me dije se për një gjë të tillë tashmë janë pajtuar partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat janë duke punuar për ndërtimin e qeverisë së re. “Gjatë bisedave kemi vendosur që stadiumi i Kombëtares së Kosovës të ndërtohet në Bërrnicë dhe jo në Drenas”, ka thënë Abdixhiku.
Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, lidhur me këtë çështje. Ai ka thënë se kjo është një çështje që i takon Qeverisë së Kosovës dhe se FFK-ja nuk ka qasje në vendimmarrje. “Është projekt i Qeverisë së Kosovës. Ne nuk kemi asnjë ndikim aty. Dëshira jonë është që ndërtohet sa më shpejt që është e mundur. Normalisht se jemi të gatshëm, nëse është e nevojshme, të kontribuojmë me një ekip profesional”, ka thënë Ademi.
I pyetur nëse qeveria e re do ta kërkonte mendimin e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit lidhur me lokacionin e stadiumit, Ademi nuk ka dhënë ndonjë mendim, përpos që ka kërkuar që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt që është e mundur dhe se Federatës i duhet në cilindo vend që ndërtohet. “Me rëndësi është që ky stadium të ndërtohet sa më shpejt sepse Kosova ka nevojë për një stadium të tillë. Po shihet çfarë po ndodh me bileta dhe me kërkesat e qytetarëve që t’i përcjellin ndeshjet e përfaqësueses. Ne si federatë kërkojmë që stadiumi të ndërtohet sa më shpejt në Kosovë. Nuk kemi stadium nacional dhe në rast se nuk mund t’i zhvillojmë ndeshjet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, atëherë si alternativë e kemi stadiumin në Shkodër derisa të ndërtohet stadiumi ynë”, ka deklaruar Ademi, i cili nuk e di se kur pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar.
Për “Epokën e re”, lidhur me çështjen e stadiumit, ka folur edhe trajneri me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Gani Sejdiu. Ky i fundit mendon se vendimet dhe debatet lidhur me çështjen e stadiumit janë politike. “Nuk është mirë të kemi këto debate sepse është një projekt sportiv por, për fat të keq, po përdoret nga politika. Nëse i shikojmë vendimet apo debatet, shohim se janë për interesa politike dhe kjo nuk është mirë, sepse jemi një vend i vogël dhe duhet t’u gëzohemi sukseseve të përfaqësueses dhe jo të krijojmë ndarje të regjioneve”, ka thënë Sejdiu, i cili ka një ide interesante lidhur me stadiumin. Ai beson se shumë më mirë do të ishte që të investohet në stadiumet e tjera. “Mendoj se është dashur të investojmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që ta shtojmë kapacitetin edhe në stadiumin ‘Adem Jashari’, kurse disa mjete të tjera t’i investojmë nëpër stadiumet e Superligës, ku gjenda e tyre nuk është e mirë dhe, të them të drejtën, nuk i intereson akujt. Megjithatë, projekti për stadiumin nacional është madhor dhe do t’i shërbejë Kosovës për të ardhmen, por nuk është mirë të përdoret për interesa politike”, ka deklaruar Sejdiu.
Kundër ndryshimit për ndërrimin e lokacionit ka dalë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ia ka rikujtuar anëtarit të kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, atë që ia kishte kërkuar edhe kandidates për kryeministre në zgjedhjet e fundit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, që mos të kërkohet ndryshimi i lokacionit. “Gjatë fushatës e kam dhënë një mesazh rreth stadiumit nacional, për mbesën tonë: Mos e vokë atë ujë. Njëjtë i them edhe deputetit Abdixhiku: Mos e vokë atë ujë! Shpresoj se ky vend ka mendje të kthjellëta dhe mendojnë mirë kah po e çojnë vendin”, ka deklaruar Lladrovci.
MKRS-ja kundër ndryshimit të lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar duke e kundërshtuar ndryshimin e lokacionit të ndërtimit të stadiumit nacional, pasi ka vlerësuar se çdo ndryshim e rritë koston e stadiumit dhe e komplikon situatën. “Vlerësojmë se ndryshimi eventual i lokacionit do ta rriste koston e stadiumit, do ta komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë janë lajme dëshpëruese për qytetarët e Republikës së Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Më pas Ministria e Sportit ka sqaruar se pse është më mirë që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Drenas. “MKRS-ja fillimisht ka planifikuar që stadiumin kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërrnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit. Për më keq, ish-qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë. Ndërkaq, lokacioni i tanishëm, për të cilin është marrë vendim që të ndërtohet stadiumi, ka qenë më i favorshmi për arsye të shumta. Dallimi në kilometra nga Prishtina në Korreticë ose Bërrnicë është vetëm 5 km. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i Komunës së Drenasit për ta ofruar një hapësirë të këtillë, ku tashmë prona ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, duke qenë e dedikuar për stadium. Hapësira e tanishme, konkretisht ngastrat e kadastrave të ndara për stadiumin kombëtar, kanë qenë pronë e cila nuk ka pasur nevojë për shpronësim dhe kështu e ka ulur ndjeshëm koston e projektit”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
MKRS-ja, po ashtu, ka përmendur edhe fakte të tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme që stadiumi të ndërtohet në Drenas. “Afërsia me Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Në vendimmarrje jemi bazuar edhe te qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
/Veton ZYMBERI/