Ku do të shkojnë 3.3 miliardë euro të ‘arkës’ së Kosovës?
Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove, nga 3.2 miliardë që ishte në këtë vit.
Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashikohet të shkojnë për subvencione dhe transferta, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afërsisht 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime. Opozita ka kritikuar qeverinë për ndarjet buxhetore.
Qeveria e Kosovës, e cila drejtohet nga Albin Kurti, ka hartuar buxhetin për vitin 2024.
Projektbuxheti arrin vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro. Por, ku e për çfarë do të shkojnë këto mjete?
Sipas projektbuxhetit, nga kjo shumë, 805.4 milionë euro janë parashikuar për paga dhe shtesa, 484.7 milionë euro do të shkojnë për mallra dhe shpenzime, 34.2 milionë euro për shpenzime komunale, 1.6 miliard euro për subvencione dhe transferta, 859.2 milionë euro për shpenzime kapitale, 10.2 milionë euro për rezerva, ndërsa 46.3 milionë euro është interesi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka lavdëruar buxhetin, duke thënë se ky është buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë.
“Do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kemi ndarë 370 milionë euro ose 22 për qind më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në”, ka thënë ai.
Kryeministri ka shtuar se, vitin e ardhshëm, ushtrisë dhe policisë do t’i shtohen 600 ushtarë dhe 500 rekrutë të rinj.
“Ushtrisë sonë, së cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfishi që kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do t’i shtojmë 600 ushtarë më shumë në vitin e ardhshëm. Policia jonë, që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes sonë, vitin tjetër do të ketë edhe 500 rekrutë të tjerë dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se buxheti i vitit 2024 do të ketë prioritet po ashtu edhe për nevojat e qytetarëve për një ekonomi të fortë, me më shumë vende pune, shëndetësi gjithëpërfshirëse, arsim të zhvilluar e sundim të ligjit.
“Gjatë 32 muajve të mandatit tonë, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarave janë të rinj e të reja nën moshën 25-vjeçare. Vetëm nëpërmjet superpunës, në 8 muaj janë punësuar mbi 7 mijë 700 të rinj të moshës 18-25 vjeç. Për të nxitur punësimin në sektorin privat, në buxhetin e ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Në sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin e ardhshëm do të jetë 110 euro”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka thënë se 860 milionë euro do të shkojnë vetëm për investime infrastrukturore.
“Vetëm për MKRS-në kemi ndarë 58 milionë euro për investime kapitale për vitin që po vjen. Buxheti i komunave do të jetë 742 milionë euro. Gjithashtu, edhe Luginës së Preshevës i kemi shtuar 1 milion euro, pra nga 2 milionë sa ka qenë buxheti për ta, tashmë do të jetë 3 milionë euro”, është shprehur ai.
Investimet kapitale të bartura ndër vite
Shumica e investimeve kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024, janë projekte të bartura nga vitet paraprake.
Një prej projekteve të reja, që është paraparë me këtë buxhet, është ndërtimi dhe rinovimi i kampit “Belvedere” në Mitrovicë, apo siç njihet zyrtarisht Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi”. Për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro për vitin 2024. Punimet në të pritet të fillojnë në janar të vitit 2024, e të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026. Kostoja totale e projektit është 4 milionë euro.
Tek investimet kapitale të nivelit qendror, është edhe projekti për ndërtimin e çerdheve modulare në 7 rajonet e Kosovës – Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë. Për vitin 2024, janë ndarë 3.2 milionë euro për këtë projekt, ndërsa në total pritet të kushtojë 10 milionë e 745 mijë euro.
Sallë koncerti, rregullim i lumenjve dhe rinovim objektesh
Në projektbuxhetin për vitin 2024, është përfshirë edhe ndërtimi i Sallës së Koncertit në Prishtinë. Për këtë projekt janë ndarë 850 mijë euro. Ky projekt pritet të nisë nga janari i vitit 2024 dhe të përfundojë në nëntor të po të njëjtit vit.
Ndërtimi i shtratit të lumit Llap është projekt tjetër i ri, për të cilin janë ndarë 1 milion euro dhe pritet të fillojë në shkurt të 2024. Projekti në total parashihet të kushtojë 5 milionë dhe pritet të përfundojë më 2026.
Projekt i ri është edhe rregullimi dhe rehabilitimi i Pellgut Drini i Bardhë. Për këtë janë ndarë 950 mijë euro për vitin 2024, ndërsa në total pritet të kushtojë 2 milionë e 950 mijë euro.
Me këtë projektbuxhet, Qeveria ka paraparë edhe rinovimin e shtëpisë së Adem Demaçit. Për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro për këtë qëllim, që në total pritet të kushtojë 100 mijë euro.
Edhe për rinovimin e ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ndarë 100 mijë euro. Në total, rinovimi i këtij objekti pritet të kushtojë 500 mijë euro. Janë ndarë edhe 500 mijë euro për blerjen e automjeteve për këtë ministri.
Investime kapitale do të bëhen edhe në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit, sipas marrëveshjes me Danimarkën, për dhënien në shfrytëzim të qelive.
Për vitin 2024, janë ndarë 1 milionë e 400 mijë euro për rinovimin e objekteve të kësaj qendre, sipas rekomandimeve të shtetit të Danimarkës. Në total, projekti pritet të kushtojë 2.4 milionë euro.
600 mijë euro janë ndarë për furnizimin dhe instalimin me pajisje për ngritjen e sistemit të sigurisë, si dhe 750 mijë euro për funksionalizimin dhe instalimin me pajisje të IT në këtë qendër, sipas rekomandimeve të shtetit danez.
Me projektbuxhetin e vitit 2024, Qeveria ka paraparë edhe ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren, për të cilat ka ndarë 450 mijë euro.
Po ashtu, 450 mijë euro të tjera parashikohen për ndërtimin e Institucionit Korrektues për Femra në Lipjan. Kostoja totale e këtij projekti është 7 milionë e 200 mijë euro.
Te projektet kapitale është paraparë edhe rinovimi i kulmit dhe rikonstruksionit të hapësirave të brendshme në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, për të cilat janë ndarë 120 mijë euro.
300 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objektit të Depos Qendrore të Barnave.
Për blerjen e shtatë automjeteve për Zyrën Kombëtare të Auditimit janë paraparë 140 mijë euro, ndërkohë 720 mijë euro janë ndarë për projektin për teknologji të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
Me këtë projektbuxhet, 75 mijë euro parashihen për qendrat e monitorimit me kamera të sigurisë në gjykata, dhe 150 mijë euro për dixhitalizimin e arkivave në gjykatat e vendit.
Miliona euro për rrugë e ndërtim të shtëpive
Te rehabilitimi i rrugëve, pothuajse të gjitha janë projekte të bartura nga vitet e mëparshme. Për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, projekt që ka nisur nga viti 2010, janë bartur 2.5 milionë nga 2023-a, për rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, e nisur po ashtu nga 2010, janë bartur 17 milionë, kurse për atë Prishtinë-Podujevë, 13 milionë euro. 10 milionë janë bartur për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, që ka kosto totale 34 milionë.
As tek autostradat nuk ka ndonjë projekt të ri. Përmendet vetëm rruga nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, e nisur nga viti 2017, që pritet të përfundojë në vitin 2026. Për këtë projekt janë bartur 17 milionë euro nga viti 2023. Vlera totale e këtij projekti parashihet të jetë rreth 129 milionë euro.
Për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, projekt i nisur në vitin 2022, janë bartur 1 milion, kurse për programin e banimit social, 14 milionë e 250 mijë euro.
Për shpronësimet e nisura nga viti 2008 janë bartur 20 milionë euro.
Pesë institucionet me buxhetin më të madh
Projektligji u miratua nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.
Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transferta, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afërsisht 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.
Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931.025.963 euro; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265.445.995 euro; Ministria e Punëve të Brendshme me 216.523.467 euro; Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174.387.768 euro; dhe Ministria e Mbrojtjes me 153.049.911 euro.
Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin.
Buxheti i vitit 2024 parasheh edhe rritjen e koeficientit të pagave nga 105 euro – sa është aktualisht – në 110.
Ndër vite, një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit ka shkuar për sektorin e sigurisë.
Opozitën nuk e kënaq buxheti, shprehen kritikë
Nga opozita kanë kritika për projektbuxhetin e vitit 2024.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se problem madhor i buxhetit është përkeqësimi i strukturës së buxhetit.
Ai ka thënë se është e pakuptimtë të thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike, kur buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht.
Sipas tij, edhe investimet kapitale kanë pësuar rënie.
“Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, ka thënë ai.
Sipas Hotit edhe projektet që janë planifikuar nuk do të realizohen.
“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tre vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, ka thënë Hoti.
Kurse, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se ky buxhet nuk ndihmon në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prandaj nuk do ta votojnë.
“Buxhetin për vitin 2023 e kemi marrë sot, do ta analizojmë në detaje dhe do të dalim me qëndrimin tonë. Nga ajo që kemi pasur mundësi të analizojmë në këtë kohë të shkurtër, ky nuk është buxhet që kontribuon në zhvillimin ekonomik, nuk ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prandaj ne nuk do ta votojmë”, ka thënë ajo.
Musliu ka vlerësuar se ky buxhet nuk ka ndonjë efekt në ekonomi.
“Ky buxhet është tërësisht shpenzues pa ndonjë efekt në ekonomi. 72 për qind e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për shpenzime rrjedhëse, që nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillimin ekonomik. 32 për qind e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për subvencione dhe transfere, ku qeveria Kurti vazhdon të mashtrojë qytetarët me sadakavitra në vend që të rrisë pagat dhe qytetarët të jetojnë me dinjitet me pagën e tyre”, ka thënë Musliu.
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vërejtje për projektbuxhetin. Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se ky projektbuxhet është bërë me direktiva të partisë.
“Në këtë Buxhet, mbizotëron më shumë strategjia e Qeverisë me direktiva të Partisë, ku janë lënë anash nevojat dhe kërkesat buxhetore të komunave, shoqërisë civile, institucioneve qendrore publike, sindikatave, njësiteve të tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, ka thënë ai.
Lekaj ka akuzuar Qeverinë për mungesë bashkëpunimi në këtë drejtim.
“Projektligji i Buxhetit 2024 ende nuk ka ardhur në Kuvendin e Kosovës. Nëse nisemi nga ideja që buxheti duhet të jetë i të gjithëve, deri tani Qeveria Kurti nuk ka pasur frymë konsolidimi dhe bashkëpunimi në përpilimin e Buxhetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë Lekaj. /Monitor