Ku ishe ti babi?!
Dibran Demaku
Po ikja si i çmendur. Pa e ditur se ku po shkoja. Gjithçka më ngjante si në ëndërr. Në një ëndërr të trisht. Por, jo, jo. Nuk isha në ëndërr. Unë po vrapoja dhe po ikja, ashtu kuturu. Pa e ditur as vetë se nga duhej të shkoja. Një mendje më thoshte se unë duhej të ikja sa më larg. Të zhdukesha fare. Po vrapoja ashtu, me shpirt ndër dhëmbë, malit të dendur, nëpër terrin e mbrëmjes. Pa ditur se ku po i hidhja këmbët. Ballin tim shpeshherë e takonin degët e drurëve. Dhe në ndeshjet e forta me degët apo me trupat e drurëve, unë bija për tokë. Nga balli i lënduar dhe nga pjesët e tjera të trupit më rridhte gjak. Gjaku në fillim ishte i nxehtë, por pastaj edhe ai ftohej, ashtu siç ftohej edhe trupi im. Mbase e tërë kjo ndodhte nga një erë e ftohtë, që frynte pandërprerë dhe nga një shi i imët, me pika të ftohta-akull. Gjaku, që rridhte nga balli im dhe nga pjesët e tjera të trupit të lënduar, bashkohej me pikat e shiut. Duke vrapuar, ashtu si i çmendur, në një moment u rrëzova. Mbeta i shtrirë dhe i palëvizshëm. Nuk e di se sa kam qëndruar ashtu…Kur u përmenda, po ndjeja një dhembje të fortë në pjesën e majtë të ballit tim. E kuptova se isha lënduar keq. Gjaku po më rridhte pandalur. Gjaku që rridhte nga balli im ishte i zi. I zi, si vet nata. Plagën në ballë po e shtrëngoja me shuplakat e të dy duarve. Gishtat e duarve të mërdhira, nga shiu dhe nga era e ftohtë, sa takoheshin me gjakun tim, për ca sekonda ngroheshin nga ai gjak i ngrohtë që rridhte nga plaga. Por, fill pastaj gjaku, sapo takohej me shiun dhe me erën e ftohtë, edhe ai ftohej, bëhej akull.
Desha të ngrihesha dhe të vazhdoja ikjen, por trupi im nuk po më bindej. Këmbët më ishin ftohur aq shumë, saqë kisha përshtypjen se ato kishin ngrirë. Po më ngriheshin edhe gishtat e duarve, ashtu siç po më ngrihej edhe plaga në ballë. Nga plaga tashmë po më rridhte gjak i ftohtë akull. Apo edhe gjaku kishte ngrirë dhe nuk rridhte më. Trupi im i shtrirë në mes të pyllit po e humbte betejën me të ftohtit e natës së errët…
Një rreze e ngrohtë dielli, që kishte rënë mbi trupin tim, më bëri të përmendesha. Kur u përmenda, së pari hapa sytë dhe pashë qiellin e madh mbi mua. Dhe degët e lisit që atë e ndanin në shumë pjesë. E lëviza paksa kokën që të vështroja rreth e rrotull. Aty kishte vetëm trupa lisash dhe shkurre të ndryshme. Në fillim nuk më kujtohej se si kisha ardhur në këtë vend dhe përse ndodhesha këtu. Plaga e ballit, e nxehur nga rrezja e diellit filloi të më dhembte. Me dorën që mezi e ngrita, preka plagën. Gjaku përreth plagës ishte tharë. Apo kishte ngrirë. Nuk e dija. Pas pak çastesh mendja ime filloi të funksiononte. Po e pyesja vetën:-Pse kam ardhë këtu, në mes të këtij pylli?! Pse e kam këtë plagë në ballë dhe si është shkaktuar ajo?! Dalëngadalë, si nëpër ëndërr në sytë e mendjes po më shfaqej kujtesa. Shiriti i mbamendjes, i shkëputur nga të ftohtët, apo nga përplasja e fortë e ballit tim me ndonjë dru lisi, në ikje e sipër, po rifillonte të lëvizte. Si nëpër ëndërr po më shfaqej çasti i tmerrshëm i ikjes sime…
Po shikoja ushtarë të shumtë të ushtrisë armike. Po i afroheshin shtëpisë sime. Unë isha i vetëm në oborr, kur ata e shpërthyen derën dhe u futën brenda oborrit. Si ujqër të uritur që kërkojnë gjak, ia mësynë hyrjes së shtëpisë sime. Ishin shumë. Të armatosur gjer në dhëmbë. Unë isha i vetëm dhe pa gjë në dorë. Ashtu siç isha unë nuk mund të përballesha me ta. I vërejta se si me një egërsi të pashoqe po e shpërthenin derën e shtëpisë sime. E atje brenda ishin gruaja dhe fëmijët e mi.-“O zot çfarë të bëj?!” – i thirra mendjes. Një mendje më tha që të ikja. Të ikja sa më larg. E dija se po të më shihnin ata, do të më vrisnin. Kisha dëgjuar se të gjithë burrat që takonin, i vrisnin. Ndërkaq gratë dhe fëmijët i largonin nga shtëpitë dhe shtëpitë i ndiznin. Frika se do të pësoja më të keqen, mbizotëroi mbi arsyen time. Dhe mora arratinë, ikën. Iu drejtova malit. Madje me vrap. Derisa u lodha… Apo derisa u bëra tërë plagë?
-“O zot, paska aguar ditë e re!” – i thashë vetës. – “E unë rri i shtrirë këtu dhe vështroj qiellin. Gruan dhe fëmijët i kam lënë në mëshirën e bishave!”.
Vendosa të ngrihesha. Me të dy duart, që mezi më bindeshin, u mbështeta fort në tokë dhe u mundova që ta ngrija pjesën e epërme të trupit. Pjesa e epërme e trupit, e mbështetur në duar, u ngrit vetëm pak centimetra nga toka. Por, duart e mia nuk e mbajtën dot atë peshë të rëndë dhe pjesa e ngritur e trupit u puth sërish me tokën. Përpjekja e tretë ishte më e suksesshme. Pjesa e epërme e trupit u ngrit në formë vertikale dhe me këmbët e shtrira në tokë formuan germën L. Po qëndroja ulur. Tash më duhej të merresha me këmbët. Por, ato nuk po më bindeshin. Me të dy duart e kapa këmbën e djathtë dhe e ngrita lart. Ajo, nën tërheqjen e duarve u lakua tek gjuri. Edhe ajo e formoi germën L, por të përmbysur. E lashë në atë pozitë këmbën e djathtë dhe po merresha me të majtën. Mirëpo, ajo nuk po më bindej. Edhe duart nuk po e ngrinin dot. Sa e ngrija dhe edhe me të formoja germën L të përmbysur, ajo sërish merrte qëndrim horizontal dhe sa e lëshoja përqafonte tokën. Nuk e di sa kohë kalova në përpjekje për ta bindur këmbën e majtë që të qëndronte si germë L e përmbysur. Kur ajo më në fund u bind dhe qëndroi, unë bëra përpjekje që të ngrihesha në këmbë. Por, në përpjekje e sipër që të ngrihesha, rashë. Vetëm se këtë herë rashë në krahun e majtë. Atëherë më erdhi një ide, që mbase do të ishte më mirë të provoja të ngrihesha nga ajo pozitë që isha kur kisha rënë. Me dorën e majtë u mbështeta fort për tokë dhe e ngrita peshë pjesën e epërme të trupit. Dorën e djathtë e mbështeta pak më larg dhe me dorën e majtë e shtyva paksa peshën e trupit që të rëndonte mbi dorën e djathtë, që qëndronte si e ngulur në tokë. Në atë pozitë siç isha, i dhashë forcë trupit dhe u ngrita në gjunjë. U gëzova shumë që arrita në këtë pozitë dhe shikova si me triumf rreth e rrotull. Tash nga kjo pozitë, edhe drurët e pyllit më dukeshin disi më të shkurtër e jo aq të gjatë siç më ishin dukur kur qëndroja shtrirë. Qëndrova ashtu për disa çaste dhe pastaj bëra përpjekje që të ngrihesha në këmbë. Të dy duart i mbështeta fort për toke, ndërkaq këmbën e djathtë e tërhoqa pak përpara. Shputën e këmbës së djathtë e mbështeta fort për toke dhe me të dy duart i dhashë trupit forcë që e tërë pesha të përqendrohej tek këmba e djathtë. Por edhe këtë herë këmba e majtë më huqi. Sapo tërë peshën e trupit të përqendruar te këmba e djathtë vendosa ta kaloja tek e majta, ajo rrëshqiti dhe unë u rrëzova. U rrëzova dhe rashë në kokërr të shpinës. Nga rrëzimi, apo nga hidhërimi që nuk u ngrita dot në këmbë, nuk e di, vetëm më rrodhën lot nga sytë.
Ashtu, siç isha i shtrirë në kokërr të shpinës, e binda vetën se duhej të provoja sërish. Se unë duhej të ngrihesha dhe të shkoja në shtëpi. Se duhej sa më parë të takoja gruan dhe fëmijët e mi. Se duhej t`u kërkoja falje që i kisha lënë vetëm. I kisha lënë vetëm në duart e bishave dhe kish ikur. Kisha ikur që të shpëtoja kokën time.
-“Po çfarë më duhet koka ime, nëse ata kanë pësuar?! Jo, jo, jo mos o zot!” – thirra unë me të madhe. Pashë vetën se unë tashmë nuk ndodhesha në pyll .Isha ngritur(as unë nuk e di se si) dhe kisha ecur gjatë. P yllin tashmë e kisha lënë prapa dhe po i afrohesha fshatit tim. Nga larg po shikoja fshatin. Nga disa shtëpi po dilte tym. Tym i zi. Bishat, që një ditë më parë kishin kaluar andej e kishin djegur fshatin, shtëpitë. Po me njerëzit çfarë kishin bërë?! Apo edhe ata i kishin kallur së bashku me shtëpitë?!-Jo, jo, jo njerëzit duhet të jetojnë!” – po flisja me vete me zë të lartë në ecje e sipër. E përqendrova shikimin nga shtëpia ime. Ajo ishte në këmbë. Nuk po nxirrte tym. – “Mbase bishat e ushtrisë armike janë ende aty!” – më sulmoi një mendim. – “Prandaj edhe nuk e kanë kallur shtëpinë time!” – po flisja vetë më vete.-“Po nëse ata e kanë kaluar natën aty çfarë do të kenë bërë me time shoqe?!” – po më çmendte mendimi tjetër. – “Mos o zot, si do ta lejoje një gjë të tillë?!Ajo vetëm me fëmijët e ata shumë?! Mos, o zot, në sy të fëmijëve…?!”
Tashmë isha krejt afër shtëpisë sime. Asnjë zë, asnjë pipëtimë. Dera e hyrjes e shtëpisë sime po dergjej ashtu e shkallmuar. Doja të hyja brenda, por një ndjenjë e trisht, e shoqëruar me frikën, po më ndalonin… – “Po sikur bishat të ishin brenda?!Po sikur ndonjëri me time shoqe…?!” – Fëmijët do të jenë tmerruar nga frika! – E çfarë babai jam unë që nuk i kam mbrojtur fëmijët e mi?! – Nuk e kam mbrojtur time shoqe?! Por…, por kam ikur që të shpëtoj kokën time?! E ç`më duhet koka ime e shpëtuar?!Ç`më duhet koka ime, nëse ata kanë pësuar?!
Si i çmendur kalova nëpër derën e shkallmuar të shtëpisë sime. Në korridor gjithçka e kthyer përmbys. Sikur pas ndonjë tërmeti. Dera e sallonit të shtëpisë sime gjysmë e hapur. Një ndjenjë e trisht më thoshte që të mos e kaloja atë derë. Mos të shoh fare se çfarë ka ndodhur aty brenda. Por, dëshira e zjarrtë që të takohesha me fëmijët e mi dhe me time shoqe e mundi atë ndjenjë frike të trisht. Me një ndjenjë të tmerrshme në zemër e shtyva derën e sallonit. Para syve të mi u shfaq një skenë makabre, aso skene që lënë bishat e egra ngado kalojnë. Në sallon gjithashtu gjithçka e kthyer përmbys. Dy fëmijët e mi të shtrirë, njëri në shtrat e tjetri në tokë, dukeshin sikur po flinin…Apo sikur po ëndërronin… Sikur po ëndërronin me sy hapur… Afër trupave të tyre, gjaku që u kishte rrjedhur nga plagët e shkaktuara nga bishat e egra, ishte tharë. Me zemër të plasur u afrova dhe i putha të dy në ballë… Derisa i puthja fëmijët e mi në ballë m`u bë sikur po puthja vdekjen time… Sytë e tyre të ngrirë m`u bë se më pyesnin:-Babi pse ike dhe na le në mëshirën e bishave?! – Babi ku ishe ti kur na sulmuan bishat?!Ne prisnim kot ndihmën tënde! Ti duhej të na kishe mbrojtur nga bishat, babi! Ua sa shumë ishin ata?!Dhe si i kishin fytyrat! Si i kishin sytë e kuq, gjak! Si i kishin dhëmbët! E ne kishim frikë nga sytë e tyre, babi! E ne kishim frikë nga fytyrat e tyre, babi! E ne kishim frikë nga dhëmbët e tyre, babi! Ku ishte ti babi?! Ti duhej të na mbroje, babi! Ti duhej t`i vrisje bishat, babi! Kur erdhën bishat e ushtrisë armike, ne të kemi thirrur për ndihmë, babi! Por ti nuk e dëgjove thirrjen tonë, babi! E thirrjet tona sikur e pikëlluan edhe vetë qiellin, babi! Nga dhimbja jonë ai filloi të lotonte, babi! Për ndihmë të thirri edhe mami, por ti nuk e dëgjove, babi! Mami u përball me bishat, në mbrojtjen tonë, babi! Por, ata ishin shumë, babi! Edhe mami kërkoi ndihmën tënde, babi. E kërkoi deri në dëshpërim, babi! Pastaj, ata ushtarët me fytyra bishash e zunë për flokësh mamin, babi! E tërhoqën zvarrë, babi! Ajo po dergjet në dhomën tjetër, babi! Shko se ajo po të kërkon! Ajo ka nevojë për ndihmën tënde, babi! Ajo ka nevojë për ty, babi!
Dola nga salloni si i çmenduar dhe iu drejtova dhomës së gjumi. Asaj dhome ku me time shoqe kisha kaluar vite të lumtura jete. Ime shoqe ishe aq e dashur dhe e kujdesshme për gjithçka. Me një fjalë, që nga ardhja e saj në këtë shtëpi, gjithçka qeshte. Dera e dhomës së gjumit ishte e hapur në tërë gjerësinë e saj. Unë iu afrova hyrjes. Ime shoqe krejt lakuriq, siç e kishte lindur e ëma, po dergjej poshtë shtratit. Trupi i saj i gërvishtur në shumë pjesë nga thonj apo nga ndonjë send me majë të fortë, kishte nxjerrë gjak. Në shumë vende të gërvishtura tashmë gjaku ishte tharë. Mbi shtrat dhe nëpër vende të ndryshme të dhomës shiheshin flokë të shkulura nga koka e saj. Ushtarët e tërbuar nga bukuria e saj do ta kenë sulmuar ashtu në llavë, si ujqërit. Secili do ta ketë dëshiruar i pari dhe do ta ketë zënë nga flokët. Ajo, duke u munduar që të shpëtonte, duke ikur me forcë, do t`ua ketë lënë flokët në duar. Por, ata do të kenë qenë të shumtë. Dhe dikur, pas shumë përpjekjesh, ajo do të jetë dorëzuar e dëshpëruar. Ata, pastaj si ujqër të tërbuar, do të jenë sulur mbi trupin e pafajshëm të saj. Dhe kur i kanë shfryrë epshet e tyre shtazarake, të hidhëruar nga kundërshtimet e saj, do të ia kenë shuar jetën me një plumb diku pas koke.
E mora trupin e time shoqe, i cili tashmë kishte ngrirë dhe e vendosa mbi shtrat. Në shtratin tonë të dhëndërisë. Desha që edhe unë të shtrihesha afër saj, por m`u bë se ajo kundërshtoi: – Jo! – më tha – ti nuk duhet të shtrihesh mbi këtë shtrat!… Sepse ky shtrat është ndyrë nga ushtarët-bisha të armikut!… Andaj qëndro sa më larg nga ky shtrat, nga kjo shtëpi!
U afrova dhe e putha në ballë. Lotët, që nuk më ndaleshin, vërshuan edhe më me vrull. Në vesh e në zemër po më ushtonte zëri i fëmijëve, që sikur vinte nga ndonjë baladë: – Ku ishte ti babi?! Ne kishim nevojë për ndihmën tënde! Ne kishim nevojë për mbrojtjen tënde! Ku ishte ti babi…?!