‘Ku janë 600 mijë eurot?’, Çitaku parashtron disa pyetje për rastin e ambasadorit Berishaj
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas njoftimit për kallëzim penal nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit për deklarim të rrejshëm të pasurisë.
Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e vet në “Facebook’” të mërkurën ka kërkuar përgjigje në pyetjet e tjera, sikundër janë pajisja e Berishajt me shtetësi brenda ditës, si dhe kalimin e tij në filtrat e AKI-së.
“Kallëzimi penal i Agjencisë Kundër Korrupsionit ndaj Martin Berishajt është i mirëpritur. Megjithatë, ky kallëzim trajton vetëm deklarimin e rrejshëm të pasurisë. Ne ende nuk kemi përgjigje në disa pyetje fundamentale: Ku janë dhënë 600 000 euro, si është pajisur Berishaj me shtetësi brenda ditës , si i ka kaluar Berishaj filtrat e verifikimit nga AKI? Shkarkimi i vonuar tashmë do të duhej të ishte vetëm hapi i parë”, shkruan Çitaku.