Ku janë sot lojtarët që ishin startues në ndeshjen historike Kosova – Haiti?
Përfaqësuesja e Kosovës sot shënon gjashtë vjetorin e paraqitjes së parë ndërkombëtare, me lejen e FIFA-s. Më 5 mars 2014, ‘Dardanët’ në stadiumin ‘Adem Jashari’ prisnin kombëtaren e Haitit, në ndeshjen që përfundoi baras 0-0, dhe gjëja më e parëndësishme në atë sfidë, ishte rezultati.
Kosova atëkohë drejtohej nga Albert Bunjaki, i cili sigurisht që nuk kishte një punë të lehtë për të vendosur për formacionin startues, në ndeshjen e parë ndërkombëtare të Kosovës, që për të gjithë në Kosovë, ishte më shumë se një ndeshje futbolli.
Formacioni i parë i Kosovës: Samir Ujkani, në mbrojtje Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Përdedaj e Kristian Nushi. Mesfusha përbëhej nga kapiteni Anel Rashkaj, Ardian Gashi dhe Enis Alushi dhe treshja sulmuese Shpëtim Hasani, Ilir Azemi dhe Albert Bunjaku, raporton “lajmi.net”.
Por çfarë ka ndodhur sot me këtë formacion, sa prej tyre janë ende pjesë e Kosovës, sa prej tyre janë pensionuar nga futbolli?
Samir Ujkani: Portieri 32 vjeçar, së bashku me Anel Rashkajn, janë të vetmit që vazhdojnë të jenë pjesë e Kosovës, nga formacioni startues i vitit 2014 kundër Haitit. Aktualisht është pjesë e Torinos në Serie A.
Loret Sadiku: Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA, bëri që lojtari të humbas mundësinë për të veshur fanellën e Kosovës. Ai kishte bërë në të kaluarën një kërkesë që nga Suedia të kalonte te Shqipëria, dhe kalimi te Kosova po i pamundësohet nga FIFA. Rasti i tij vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë, me 30-vjeçarin që ëndërron të luajë sërish për vendin e tij. Luan për Kasimpasa në Turqi.
Avni Pepa: Mbrojtësi tash luan në Ligën e Dytë të Norvegjisë, te skuadra Arendal. Ishte pjesë e Kosovës gjatë kohës së Albert Bunjakit, në ciklin kualifikues për Kupën e Botës. Numëron pesë paraqitje me Kosovën.
Fanol Përdedaj: Të qenit pjesë e ligave të ulëta në Gjermani, bënë që Përdedaj të mos ftohet më te Kosova, pas ardhjes në krye të trajnerit Bernard Challandes. 28 vjeçari është paraqitur pesë herë për Kosovën. Tani luan në Saarbrücken, dhe së fundi kanë arritur gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë.
Kristian Nushi: Ndeshja ndaj Haitit, do të ishte speciale për Kristian Nushin, që ishte pjesë e Kosovës që nga viti 2007. Nushi tani është pensionuar nga futbolli, dhe është 37 vjeçar.
Anel Rashkaj: Albert Bunjaki i kishte besuar shiritin e kapitenit, shkaku i angazhimit të madh të tij te Kosova. Paraqitjet në nivel jo elitar në Suedi, kishin bërë që Rashkaj të humbiste vendin te ‘Dardanët’ për një kohë. Nga ëndrra për t’u kthyer sërish te kombëtarja, nuk hoqi dorë asnjëherë. Ai, arriti të bindte Challandesin për ta kthyer në ekip, dhe atë e bëri në grumbullimin e qershorit të vitit të kaluar, për sfidat me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Edhe pse tani nuk mban shiritin e kapitenit, ai tek tifozët njihet si ‘kapiteni i përjetshëm’, shkaku i sakrificave që ka bërë për Kosovën.
Ardian Gashi: Me Kosovën që nuk njihej nga FIFA, Gashi si shumë futbollistë tjerë me prejardhje dardane, duhej të luante për një shtet tjerë, Ai veshi për 14 ndeshje fanellën e Norvegjisë, por lejimi i FIFA-s që Kosova tani të luajë së paku ndeshje miqësore, bëri që Ardian Gashi të përgjigjej thirrjes së atdheut të tij, për të shkruar emrin përjetësisht në analet e historisë, duke qenë pjesë e formacionit historik ndaj Haitit. Tani 37 vjeçar, Gashi është pensionuar nga futbolli.
Enis Alushi: Ishte një nga lojtarët me përvojën më të madhe te Kosova. Paraqitjet e tij në Bundesligë, ishin të mirëpritura te kombëtarja e re e Kosovës, që sapo kishte vënë themelet, dhe lojtarët e kalibrit të tillë ishin të domosdoshëm. Alushi u paraqit 10 herë për Kosovën gjatë kohës së Bunjakit. Kishte prishur edhe raportet me ish-skuadrën e tij Nurnberg, duke vendosur të sakrifikohet, duke luajtur edhe i lënduar për Kosovën. Tash 34-vjeçar, Alushi është pensionuar nga futbolli, duke filluar punën si agjent futbolli. FFK kishte nderuar kontributin e Alushit te Kosova, duke e ftuar në ‘Fadil Vokrri’ për t’i dhënë një shpërblim, para ndeshjes me Çekinë.
Shpëtim Hasani: Ishte pjesë e Kosovës për një vit, ndoshta në vitin e saj më të rëndësishëm. Hasani u paraqit katër herë për Dardanët. Edhe pse 38-vjeçar, ai vazhdon të jetë aktiv në futboll, duke u paraqitur për Karlslunds IF HFK në Suedi.
Albert Bunjaku: Një nga lojtarët më më emër që kishte Kosova. Një sulmues që kishte shkëlqyer në Bundesligë, dhe që kishte vendosur lavdinë e tij të sillte edhe në Kosovë. Ndaj Haitit nuk gjeti golin, por në vitin 2016, kur Kosova zhvillonte ndeshjen e parë pas pranimit në UEFA dhe FIFA, Bunjaku bëri historinë, duke shënuar ndaj Ishujve Faroe. Goli i tij, do të jetë goli i parë që ‘Dardanët’ shënuan pas njohjes ndërkombëtare. Bunjaku tani paraqitet tek Viktoria Koln, dhe këtë sezon ka shënuar 15 gola.
Ilir Azemi: Ylli më i madh i Kosovës, karriera e të cilit u ‘shua’ në momentin e tij më të mirë. Lojtari po shkëlqente në Bundesliga 2, në fanellën e Greuther Furth, me të cilën skuadër mëtonte nivelin më të lartë të futbollit gjerman, Bundesligën. Një aksident i rëndë në verën e vitit 2014, ndryshoi përgjithmonë karrierën e tij. Azemi mori lëndime të rënda nga ai aksident në boshtin kurrizor, dhe rikthimi në formën më të mirë, ishte i pamundur. Ai provoi të rigjente formën duke iu bashkuar disa skuadrave në ligat e ulëta gjermane, por lëndimi i rëndë ia pamundësoi një gjë të tillë. Karriera e tij te Kosova, u mbyll me ndeshjen e Haitit, duke mos pasur mundësi tjera për të veshur fanellën e artë të vendit të tij.