KU JE BABË?
30 tetor 2022
| 08:50
Leonora Buçinca
Në këtë orë
malet e thara
vuajnë nga erërat e pamëshirshme
ofshajnë lisat
që prijnë atje mbi det
nën kulmin e reve të zeza
ofshaj edhe unë
nuk e kujtoj pamjen tënde
të fundit
babë i largët
babë i gjallë e i humbur
ku je tani
në këtë orë
ndoshta afër stufës
në dhomën e zjarrit
afër prushit
afër flakës
kundër zjarrit
të mos e shkrijë akullin tënd!
Ku je
pse më shfaqesh memec
unë nuk e kujtoj
zërin tënd të fundit
më vjen vetëm si një jehonë e zhdukur.
Babë
pse s’më flet
ndoshta po i bën llogaritë e kohës
apo flet me zërin e të gjallëve
ndoshta të ka shterë
zëri i të vdekurve
apo, ndoshta,
unë i kam harruar të dyja gjuhët pa ty.
Ku je, babë?