Ku do të ndërtohet TC Kosova e Re?
Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik
Të nderuar qytetarë,
Ashtu siç kemi premtuar si Ministri e Zhvillimit Ekonomik, po fillojmë të shpalosim një e nga një temat më kyçe të dala nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjeve publike në Kosovë (KEK, KOSTT, Ibër-Lepenci) dhe ContourGlobal – investitorit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
Sot do ta trajtoj marrëveshjen për bartjen e lokacionit (ang. Site Transfer Agreement), të cilën mund ta shkarkoni këtu https://goo.gl/6Wjte5
Dua të filloj me një përmbledhje mbi përzgjedhjen e lokacionit. Një studim i para-fizibilitetit, i realizuar në vitin 2006 i financuar nga Bashkimi Evropian kishte identifikuar tri lokacione për ndërtimin e termocentralit të ri: pranë TC Kosova B, në Bivolak dhe në Grabovc të Poshtëm. Në fillim të vitit 2007 u shtua edhe një lokacion i mundshëm pranë TC Kosova A, duke zëvendësuar atë në Grabovc të Poshtëm. Mirëpo, si rrjedhojë e debatit publik në kuadër të Vlerësimit Strategjik Mjedisor dhe Social (VSMS), lokacioni pranë TC Kosova A doli të jetë i papërshtatshëm. Edhe shoqëria civile në atë kohë doli me rekomandim që lokacioni pranë TC Kosova B të shfrytëzohet për ndërtimin e blloqeve të reja, si vazhdimësi e blloqeve B1, dhe B2.
Këto janë kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes së lokacionit për ndërtimin e termocentralin të ri:
– të jetë i përcaktuar si zonë për aktivitete industriale, ose zonë e mëhershme industriale (ang. brown-field);
– sipërfaqe toke e pashfrytëzuar ose që mund të lirohet lehtë;
– topografi relativisht e rrafshët me kushte të pranueshme gjeo-teknike, zonë me intensitet jo të lartë sizmik, dhe pa rrezik të vërshimit;
– të jetë në kahun tjetër të erës nga qendrat e populluara dhe jo në afërsi të qendrave të banimit;
– të jetë larg parqeve natyrore, habitateve të mbrojtura, dhe zonave arkeologjike;
– të mos ketë dukshmëri të lartë duke ndikuar negativisht në peizazh;
– të jetë sa më afër infrastrukturës ekzistuese energjetike, infrastrukturës të furnizimit me ujë dhe të furnizimit me lëndë djegëse;
– të ketë qasje të lehtë në infrastrukturë të transportit rrugorë dhe hekurudhor;
– lokacion me pronësi që eviton nevojën për shpronësime dhe zhvendosje eventuale; dhe
– të ketë vlerësim të kënaqshëm ekonomik.
Përfundimisht lokacioni i përzgjedhur për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re është pranë TC Kosova B. Lokacioni është një fushë industriale që gjendet përafërsisht 1.5 kilometra në perëndim të Obiliqit dhe 9 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Vlen të përmendet se në kohën kur është ndërtuar TC Kosova B, ky lokacion ishte përzgjedhur si i përshtatshëm për ndërtimin e kapaciteteve të reja deri 2000 MW. Prandaj, janë bërë investime përkatëse në kanalin e furnizimit me ujë (kanali i Ibër-Lepencit), infrastrukturën e transportit, dhe rrjetin e transmisionit (nënstacioni 400/220 KOSTT, pranë TC Kosova B).
Lokacioni i përzgjedhur do të shfrytëzojë plotësisht infrastrukturën energjetike ekzistuese përfshirë deponinë e qymyrit, që rezulton me kosto më të ulët të ndërtimit dhe përfundimisht reflektohet me çmim më të vogël të energjisë.
Marrëveshja për bartjen e lokacionit rregullon marrëdhëniet mes ContourGlobal dhe KEK Sh.a. ku lënda e marrëveshjes është (1) shitja dhe bartja e lokacionit ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re, (2) qasja në tokë shtesë gjatë fazës së ndërtimit, si dhe (3) lejimi i kalimit të infrastrukturës përcjellëse të TC Kosova e Re nëpër pronë të KEK-ut, si p.sh. infrastruktura e furnizimit me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit apo transportit të hirit dhe gjipsit në deponitë e përkufizuara në zonat e shfrytëzuara të mihjes së linjitit.
Pronar i vetëm i tokës ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re është Korporata Energjetike e Kosovës Sh.a., (pronë e shtetit) dhe nuk ka asnjë parcelë private që të ketë nevojë për shpronësim.
Çmimi i shitjes së tokës ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re është caktuar vetëm si vlerë simbolike, pra 10 Euro në tërësi, dhe kjo është bërë për shkak se lokacioni së bashku me termocentralin Kosova e Re do të transferohen në pronësi të shtetit pas 20 viteve dhe pa asnjë kosto.
Kalimi i pronës nga KEK tek ContourGlobal pritet të bëhet në të njëjtën ditë me arritjen e përmbylljes financiare. Kjo bëhet vetëm atëherë kur investitori i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta për projektin – siç është përzgjedhja e kompanisë ndërtuese, ofrimi i garancive përkatëse, sigurimi i plotë (100%) i financimit në formë të kontributit të ekuitetit dhe i kredive nga huadhënësit, marrja e të gjitha lejeve dhe pëlqimeve përkatëse etj. E nga ana tjetër, edhe kur Qeveria e Kosovës t’i ketë përmbushur të gjitha obligimet e veta në kuadër të pakos së marrëveshjeve të projektit.
Lokacioni ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në operimin e rregullt të TC Kosova B. Për më tepër, mes dy termocentraleve është lënë hapësirë e mjaftueshme për zgjerimin eventual të kapaciteteve të TC Kosova B, nëse kjo do të jetë opsion në të ardhmen.
Me lejoni t’ju informojë se gjatë muajve të ardhshëm, Qeveria e Kosovës është zotuar për disa studime teknike shtesë për lokacionin, të dhëna të cilat do të përdoren në përgatitjen e tenderit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
Përfundim:
TC Kosova e Re do të ndërtohet në afërsi të TC Kosova B me qëllim të shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese e që do të rezulton me çmim më të ulët të ndërtimit / çmimit të energjisë;
I tërë lokacioni është në pronësi të KEK Sh.a. dhe shmang nevojën për shpronësime;
Çmimi i caktuar është simbolik, duke marr parasysh se lokacioni me gjithë termocentralin Kosova e Re bartet në pronësi të Qeverisë së Kosovës pas 20 viteve;
Lokacioni nuk bartet para se investitori të përmbushë të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet komerciale, d.m.th. deri në datën e përmbylljes financiare;
Lokacioni i përzgjedhur nuk kufizon operimin e rregullt të TC Kosova B, nuk pengon implementimin e aktiviteteve për rehabilitimin e TC Kosova B dhe nuk kufizon zgjerimin eventual të kapaciteteve të TC Kosova B.