Kualifikohet Partizani, tani përballet me Basel në Conference League
Partizani i Tiranës, fiton sërish ndaj Sfintul Sf.Gheorghe dhe ia del të kualifikohet në raundin e dytë të Conference League, aty ku do të ketë përballë zviceranët e Basel.
“Demat” e Ilir Dajës triumfuan 2-3 në Moldavi dhe kaluan më tej falë rezultatit të përgjithshëm 8-4 (5-2 përfundoi sfida e luajtur në Elbasan Arena).
Pjesa e parë ishte emocionuese dhe plot gola. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e katërt falë një penalltie tepër të dyshimtë.
Roman Volkov mposhti Alban Hoxhën, por Tedi Cara (15′) riktheu baraspeshën me një eurogol. 21-vjeçari veproi bukur në krahun e majtë dhe gjeti trekëndëshin e portës moldave.
Shtatë minuta më vonë erdhi gafa e Alban Hoxhës. Kapiteni nuk zotëroi siç duhet një top të lartë dhe Nicolai Solodovnicov kaloi Sfintul në avantazh.
Gabimet nuk kishin mbaruar. Tre minuta përpara fundit të pjesës së parë, një mbrojtës vendas gaboi dhe Stenio Junior nuk gaboi duke shënuar me një parabolë.
Sulmuesi brazilian realizoi sërish në pjesën e dytë. Minuta e 55-të, kundërsulm fantastik i Partizanit dhe gol i 30-vjeçarit, i cili realizoi plot 4 gola në dy takimet me Sfintul.