Kuç: Jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur rezultat pozitiv ndaj Klasvikut
Futbolli i Kosovës po vazhdon të përfaqësohet në garat evropiane nga skuadra e Ballkanit e cila në sezonin e fundit ishte kampione e Superligës. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Ilir Daja është duke garuar në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës. Suharekasit bën një paraqitje fantastike ndaj skuadrës së Ishujve Faroe, Klasvik, duke fituar me rezultat 3-2 të enjten e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Loja e bukur me aksione të rrjedhshme po vazhdon të aplikohet edhe në garat evropiane që po konkretizohet me gola të bukur. Të tillë ishin edhe tre golat e fundit të Ballkanit ndaj Klasvikut. Nazmi Gripshi, Meriton Korenica dhe Albion Rrahmani dhuruan spektakël me golat e tyre të shënuar të cilët ishin secili më i mirë se tjetri.
Të enjten nga ora 20:00 Ballkani e luan ndeshjen e kthimit ndaj Klasvikut në Ishujt Faroe, me një klimë pak më ndryshe se e Kosovës. Djelmoshat e Ilir Dajës duhet ta mbrojnë rezultatin ose të mbesin baras për të kaluar në rundin final të kësaj gare. Ballkani deri në rezultatin 3-0 ishte duke dominuar në tërësi, por nga dy ndërprerje në minutat e 69 dhe 88, suharekasit i pësuan dy gola, të cilat ia vështirësuan punët për ndeshjen e kthimit.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, në një intervistë për gazetën “Enigma”, ka thënë se e dinin që Klasviku ishte i rrezikshëm nga goditjet standarde, por ai thotë se këto gabime nuk duhet të përsëriten në ndeshjen e kthimit. “Ne ishim dominues gjatë gjithë lojës, ishim 3-0, kundërshtari na kërcënoi nga situata standarde, e dinim se ishte arma e tij më e mirë. Kishim kohë për t’i analizuar të gjitha gjërat e mira që duhet të vazhdojmë të bëjmë dhe gabimet që nuk duhet të bëjmë”, thotë kapiteni i skuadrës, Edvin Kuç.
Temë diskutimi pas përfundimit të lojës kanë qenë minutat e fundit të Ballkanit, lojtarët e të cilit u shfaqën të lodhur, duke bërë që në minutat e fundit t’i pësonin dy gola. Mesfushori 28-vjeçar i Ballkanit, Edvin Kuç, thotë se asnjë skuadër në botë nuk mund t’i luajë 90 minuta në ritëm të njëjtë. “Të gjithë mendojnë se ishim të lodhur, sigurisht që nuk mund të luajmë të gjitha 90 minutat në të njëjtin ritëm. Asnjë skuadër në botë nuk mund ta bëjë këtë. Po e përsëris, kemi pranuar gola nga gjuajtjet e lira, jo nga veprimet e luajtura”, vlerëson Edvin Kuç.
28-vjeçari thotë se atë dhe skuadrën e tij e pret një punë e vështirë të enjten, por jam të fokusuar për një rezultat pozitiv. “Duhet të jemi gati dhe të përshtatemi me të gjitha kushtet. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë dhe jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur një rezultat pozitiv”, shprehet i bindur Edvin Kuc për “Enigma”.
Edvin Kuc shprehet i bindur se Ballkani do të kualifikohet në “play-off” dhe do të japë më shumë se 100 % për ndeshjen e së enjtes. “Ne do të arrijmë një rezultat pozitiv dhe do të kualifikohemi në ‘play-off’, kemi cilësi, kemi një epërsi prej 1 gol, do të japim më shumë se 100 % të mundësive tona për të lumturuar të gjithë tifozët tanë”, ka shtuar ai. Nëse Ballkani kualifikohet do të luajë në ‘play-off’. Nëse arrin që ta kalojë edhe një ndeshje, atëherë do të kualifikohet në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Ndeshjet e para do të luhen më 18 gusht, kurse ato të kthimit më 25 gusht.