Kuçi: Duhet të ruhet partneriteti me ShBA-në dhe BE-në
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se Kosova është në dialog me Serbinë si pasojë e status-quos, derisa çështjen e taksës më shumë e sheh si problem të vetë Serbisë.
Në emision ‘Intervista me Blerimin’ në “RTK”, Kuqi ka thënë se e mira është që Kushtetuta e Kosovës të njihet ndërkombëtarisht dhe nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë dhe të zhbllokohet Rezoluta 1244.
“Kosova është në dialog si pasojë e status-quos. Ne nuk shkojmë në dialog për të dëmtuar Kosovën. Në raport me politikën e jashtme duhet të jemi të kujdesshëm dhe secila parti politike duhet t’i marrë përgjegjësitë për zhvillimet historike, pasi që partneriteti me SHBA dhe BE duhet të ruhet”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, opozita mund ta dëmtojë qeverinë, por nuk pajtohet me qëndrimet që i kanë në raport me shtetin.
“Opozita duhet të jetë pjesë e procesit dhe të marrë përgjegjësitë se çfarë duhet bërë më tutje”, u shpreh ai.
Duke folur rreth vendosjes së taksës në nëntor të vitit të kaluar ndaj mallrave serbe, Kuçi thotë taksa nuk ka qenë problem i vetëm në raport me Serbinë. “Kemi arritur që taksa të shihet problem kryesor i Serbisë. Kryeministri duhet të thotë se nëse ka kërkesë reale nga SHBA, të jetë i gatshëm ta negociojë në Bruksel çështjen e taksës”, ka deklaruar Kuqi. Ndërkohë që një kohë ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës, Kuqi thotë se nuk e ka ndërmend të kthehet në qeverisjen qendrore, pasi është ngopur dhe nuk e ka asnjë mall për atë punë. “Dy mandatet e mia në qeveri të mia kanë qenë të mjaftueshme”, ka shtuar Kuçi.