Kuçi: Ka ardhur koha që Kushtetuta të pësojë ndryshime
Ish-kryetari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka vlerësuar se akti më i lartë juridik është sfiduar në dekadën e parë.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që Kushtetuta të pësojë ndryshime aty ku ka nevojë.
“Gjatë kësaj periudhe Kushtetuta është sfiduar dhe natyrisht sfida e parë ka ardhur nga vet shtrirja e saj në territorin e Republikës së Kosovës. Pastaj është sfiduar nga vet individët e institucioneve të cilët nuk e kanë respektuar në plotni qoftë në synimin e saj apo edhe normën juridike të saj. Mbi të gjitha do të thosha sa herë që bëhet një përvjetor ka arsye të bëhet edhe një përditësim i asaj që mund të jetë. Unë them gjithmonë se jeta është më evolutive se norma juridike, andaj jeta në Kosovë ka evoluar në dhjetë vitet e fundit. Qëllimet tona politike që kanë qenë në atë kohë janë realizuar”, ka deklaruar Kuçi për “Kosovapress”.
Megjithatë, sipas tij, bazamenti i Kushtetutës sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, pavarësisë së tri pushteteve, duhet të ruhet.