Kuçi kërkon nga Kosova që të jetë e kujdesshme në dialogun me Serbinë
Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili ishte pjesë e procesit negociator të Vjenës, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se kompromiset që i kishte bërë Kosova në atë proces, kishin për bazë premtimet e bashkësisë ndërkombëtare se ato do të jenë kompromiset e fundit dhe se dokumenti do të kalonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara edhe me pëlqimin e anëtareve që kanë të drejtën e vetos, sikurse Rusia dhe Kina.
Megjithatë, sipas tij, tashmë Kosova gjendet para dilemave për kompromise të reja dhe që shkojë përtej Dokumentit të Ahtisaarit.
“Një fakt duhet ta pranojmë që çdo dialogim i ri nënkupton marrëveshje të re dhe çdo marrëveshje e re nënkupton kompromis të ri. Moszbatimi i asaj pakoje (dokumentit të Ahtisaarit), në veçanti në pjesën veriore (të Kosovës), si dhe mosmbështetja e plotë ndërkombëtare për zbatimin e saj, ka krijuar një hapësirë për dialogim të ri. Ky dialogim i ri, duhet të jemi të sinqertë që kërkon një kompromis të ri dhe ai kompromis gjithsesi do të jetë jashtë asaj që është paraparë me pakon e Ahtisaarit. Natyrisht që mund të jetë kompromis në dëm apo të prishjes së Ahtisaarit”, ka thënë Kuçi.
Më tutje, Kuçi, ka thënë se pala e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme që në negociatat e ardhshme të mos preket funksionaliteti i shtetit dhe autoriteti i Prishtinës mbi tërë territorin e vendit.
“Unë mendoj që tërësia territoriale, pavarësia e Kosovës dhe funksionaliteti apo autoriteti i institucioneve qendrore në tërë territorin e Republikës, kanë qenë si qëllimet bazë edhe në kompromiset e mëhershme. Mendoj që, në këtë rast, para çdo negociate, duhet të ketë një projekt, para çdo projekti duhet të ketë edhe një kundërpeshë të asaj që kërkohet ose që ndryshohet. Nuk mund të jemi paragjykues të një teme, pa e parë edhe rezultatin apo qëllimin final të asaj teme”, ka thënë Kuçi.