Kuçi: Nuk u frikësohemi kërcënimeve për rrëzimin e Qeverisë

10 tetor 2018 | 14:20

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, ka thënë se kundërshtimet nga distanca në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi nuk e vënë në pikëpyetje funksionimin e mëtutjeshëm të koalicionit qeverisës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kërcënimet për rrëzimin e Qeverisë kanë për qëllim faktorizimin e presidentit Thaçi.

“Deklaratat e tilla kanë për qëllim faktorizimin e presidentit Thaçi në këto procese. Intenca për t’u faktorizuar edhe jashtë kompetencave të veta është normale, mirëpo unë do ta këshilloja presidentin Thaçi që të mos bëhet shumë xheloz me sukseset e Qeverisë Haradinaj, sepse sukseset e saj janë edhe të Kosovës”, është shprehur Kuçi.

Pavarësisht prej kundërshtimeve, ai ka treguar se Qeveria e mbështet vazhdimin e procesit të dialogut por, sipas Kuçit, Kuvendi duhet të ketë rol kyç përmes mekanizmave monitorues.

Ai ka bërë thirrje për konsensus në dialog, duke thënë se në këtë drejtim partitë opozitare duhet të jenë më bashkëpunuese, dhe jo të sillen konform interesave të ngushta partiake.

“Në këtë drejtim presidenti Thaçi duhet të kërkojë konsensus dhe të punojë në këtë drejtim. Ai duhet të jetë person unifikues por, për fat të keq, ai po e luan rolin e kundërt. Kryeministri është duke punuar fuqishëm në këtë drejtim dhe pres që edhe partitë opozitare të jenë shumë më bashkëpunuese në këtë çështje, dhe jo të sillen konform interesave të ngushta partiake”, ka theksuar ai.

Sipas Kuçit, deri në fund të vitit do të finalizohet procesi i themelimit të ushtrisë, anëtarësimit në Interpol dhe liberalizimit i vizave. Madje ai ka paralajmëruar dorëheqje nga pozita e deputetit në rast se nuk u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës.

“Si deputet i Kuvendit të Kosovës kam bërë me dije se nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave brenda këtij viti do të jap dorëheqje nga kjo pozitë. Në një afat të shkurtër kohor do të kemi ushtrinë, liberalizimin si dhe anëtarësimin në Interpol”, ka deklaruar Kuçi.

“Epoka e re”: Z. Kuçi, kundërshtimet nga distanca në mes të kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi e vënë në pikëpyetje funksionimin e mëtutjeshëm të koalicionit qeverisës?
Kuçi: Jo, nuk e vënë. Z. Thaçi është një lojtar politik dhe dëshiron të jetë aktiv për temat që janë të rëndësishme për Kosovën. Ai po i bën këto deklarime me qëllim që ne dhe i gjithë opinioni të merret me të. Institucioni i presidentit ka rol unifikues dhe ai ka për detyrë që ta luajë këtë rol pozitën dhe me opozitën. Duke pasur parasysh natyrën e tij, atëherë duhet të mësohemi me të derisa të jetë president. Ai nuk mund të jetë i qetë asnjëherë, sepse dëshiron të tregojë se nuk është vetëm president, por mund të ndikojë edhe në partitë politike. Sa i përket koalicionit, do të mbijetojë në këtë formë, sepse ka të bëjë me sukseset e kryeministrit Haradinaj, sidomos me çështjen e ushtrisë, liberalizimit të vizave, Interpolit, si dhe lehtësira që është duke u dhënë bizneseve e prodhueseve. Mbase këto edhe mund t’i pengojnë dikujt dhe mund të bëhet xheloz. Politika është e tillë dhe z. Thaçi nuk duhet të jetë xheloz për sukseset e Qeverisë.

“Epoka e re”: Këto kundërshtime po bëhen për shkak të idesë për korrigjimin e kufirit, për të cilën presidenti insiston të realizohet, kurse kryeministri është kategorikisht kundër.
Kuçi: Kjo është natyra e z. Thaçi. Ju kujtohet Deklarata e Pavarësisë e cila nuk u lexua as nga presidenti Sejdiu e as nga kryeparlamentari Krasniqi, por nga kryeministri Thaçi. Pra, qëllimi i Thaçit është të jetë faktor mbi të gjithë të tjerët në secilën çështje të rëndësishme për Kosovën. Edhe ndaj ushtrisë, liberalizimit të vizave dhe Interpolit, pra nuk mund të jetë i rehatshëm. Mënyra si godet majtas e djathtas tregon se është pak xheloz me sukseset e kësaj Qeverie.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej kësaj, Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë dialogun e drejtuar nga presidenti Thaçi?
Kuçi: Ne e mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut, por Kuvendi duhet të ketë rol kyç duke krijuar mekanizma monitorues për këtë proces. Qeveria i ka dhënë disa propozime dhe kemi për detyrë t’i krijojmë këta mekanizma. Është shumë me rëndësi që Kuvendi t’i krijojë këta mekanizma dhe të harmonizohet me Qeverinë në mënyrë që të ecet më tutje. Procesi i dialogut nuk do të jetë i shkurtër dhe epilogu i tij mund të jetë më i gjatë sesa vetë mandati i presidentit Thaçi.

“Epoka e re”: Prisni mbështetje nga partitë opozitare për draftrezolutën e hartuar nga partnerët e koalicionit qeverisës?
Kuçi: Opozita është në një lloj mjegullie për marrjen e vendimeve. Opozita po e ka vështirë të pranojë çfarëdo propozimi që është në të mirë të Kosovës meqë nuk është propozimi i saj. Ne nuk e kemi problem nëse një propozim e jep opozita apo pozita meqë është me rëndësi që shteti të ecë përpara në këtë proces. Është e rëndësishme që ta kemi delegacionin dhe mekanizmat monitorues për këtë proces, sepse atëherë roli i një personi siç është presidenti Thaçi do të jetë minor. Në qoftë se vonohemi dhe nëse opozita vazhdon të kundërshtojë atëherë ajo po shkon paralelisht me interesat e Thaçit. Çuditërisht këto gjëra nuk po ndodhin rastësisht, me vetëdije apo pa vetëdije janë të pajtuar në këtë pjesë. Thaçi nuk dëshiron t’i ketë mekanizmat monitorues të dialogut edhe opozita në mënyrë siç po vepron ose po e shtynë këtë proces ose nuk dëshiron të bëhen këta mekanizma. Ne nuk jemi kundër që Thaçi të mos ketë rol në procesin e dialogut sepse është president i vendit, por ai duhet t’i dijë kompetencat e veta kushtetuese. Ne nuk mund t’ia marrim komplet rolin e tij në këtë proces, por vërejtjet tona janë për ndërhyrjet e tij në çështjet kushtetuese siç ishte kërcënimi i fundit se do ta çojë vendin në zgjedhje. Në atë formë nuk mund të shkohet në zgjedhje.

“Epoka e re”: I frikësoheni kërcënimit të presidentit Thaçi për rrëzimin e Qeverisë nëse kryeministri nuk i korrigjon deklarata për dialogun?
Kuçi: Partnerët e koalicionit qeverisës kanë raporte të mira dhe koalicioni po funksionon siç duhet. Nuk i frikësohemi as rrëzimit të Qeverisë e as shkuarjes në zgjedhje. Ne kemi frikë se kjo mos ka të bëjë me ndaljen e procesit të krijimit të ushtrisë, liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Kurse sa iu përket zgjedhjeve, çdoherë jemi gati dhe nuk kemi asnjë lloj problemi. Mirëpo nuk besoj se ka vullnet për zgjedhje të reja duke pasur parasysh procesin e dialogut të cilin e kemi përpara. Besoj se edhe opozita, së paku një pjesë e saj, është e arsyeshëm në këtë kuptim, por as faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë të dështojë ky proces. Sidoqoftë, AAK-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që ato mbahen.

“Epoka e re”: Thaçi nuk mund ta rrëzojë kryeministrin Haradinaj?
Kuçi: Jo. Deklaratat e tilla kanë për qëllim faktorizimin e presidentit Thaçi në këto procese. Intenca për t’u faktorizuar edhe jashtë kompetencave të veta është normale, mirëpo unë do ta këshilloja presidentin Thaçi që të mos bëhet shumë xheloz me sukseset e Qeverisë Haradinaj sepse sukseset e saj janë edhe të Kosovës.

“Epoka e re”: Edhe opozita ka paralajmëruar mobilizim për rrëzimin e Qeverisë. Ndihet i rrezikuar koalicioni qeverisës nga kjo opozitë?
Kuçi: Që nga krijimi i kësaj Qeverie opozita ka pasur për qëllim rrëzimin e saj. Ka kaluar një vit, do të kalojnë edhe dy, tri e katër vjet të tjera. Natyrisht se opozita në vazhdimësi ka për synim rrëzimin e Qeverisë, prandaj në këtë drejtim sjellja e opozitës është normale. Mirëpo nuk është normale në raport me procesin e dialogut sepse ky proces është më shumë sesa votuesit, zgjedhjet dhe interesat e një partie.

 “Epoka e re”: Mund të arrihet konsensusi për procesin e dialogut?
Kuçi: Në këtë drejtim presidenti Thaçi duhet të kërkojë konsensus dhe të punojë në këtë drejtim. Ai duhet të jetë person unifikues por, për fat të keq, ai po e luan rolin e kundërt. Kryeministri është duke punuar fuqishëm në këtë drejtim dhe pres që edhe partitë opozitare të jenë shumë më bashkëpunuese në këtë çështje, e jo të sillen konform interesave të ngushta partiake.

“Epoka e re”: Ju deri më tani po i konsideroni suksese çështjen e ushtrisë, liberalizimit dhe anëtarësimin në Interpol. Mund të presim finalizim të këtyre proceseve deri në fund të vitit?
Kuçi: Si deputet i Kuvendit të Kosovës kam bërë me dije se nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave brenda këtij viti do të jap dorëheqje nga kjo pozitë, sepse është e pakuptimit të mos ndodhë liberalizimi këtë vit. Do të ishte një e padrejtë e madhe që u bëhet qytetarëve të Kosovës. Prandaj nëse nuk ndodh një gjë e tillë, në shenjë rebelimi ndaj vendimit të BE-së, do të jap dorëheqje. Liberalizimin e vizave e kanë fituar të gjitha vendet e rajonit, po ashtu pjesë e BE-së janë edhe shumë shtete të cilat në asnjë aspekt nuk janë përpara Kosovës. Në një afat të shkurtër kohor do ta kemi ushtrinë, liberalizimin si dhe anëtarësimin në Interpol.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot në…