Kuçi takon akterët e sektorit pas pavarësimit energjetik

06 janar 2021 | 14:04

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur takimin e parë për vitin 2021 me akterët e sektorit të energjisë: Korporatën Energjetike të Kosovës, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, KEDS dhe KESCO.

Ky ishte takimi i parë mes këtyre akterëve pas pavarësimit energjetik të Kosovës, si rezultat i marrëveshjes së kyçjes mes KOSTT-it dhe Rrjetit Europian të Transmisionit ENTSO-E, raporton “Epoka e re”.

Ministri Blerim Kuçi i falënderoi secilin prej tyre për punën e treguar gjatë periudhës tranzitore 14-31 dhjetor 2020, ku është dëshmuar edhe ndaj Swissgrid-it që Kosova është e aftë të operojë në zonë të përbashkët rregulluese Kosovë-Shqipëri.

Kjo marrëveshje për Kosovën ka shumë dobi të cilat vetëm se kanë filluar të ndjehen, sipas kryeshefit të KOSTT-it, Mustafë Hasani, Kosova tashmë është palë e barabartë me rrjetet tjera të transmisionit në Evropë. “Gjithashtu operojmë si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri dhe kemi filluar të inkasojmë të hyrat nga energjia transite, që më parë janë marrë nga operatori serb”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, kryeshefi i KEK-ut, Luigj Imeri, ka treguar se në ditën e fundit të fazës tranzitore, më 31 dhjetor 2020, ka pasur një defekt në njërin prej blloqeve të KEK-ut, por është evituar shumë shpejtë dhe në bashkëpunim me KOSTT e kanë stabilizuar energjinë elektrike që shkon tek konsumatorët.

Në krahasim me natën e ndërrimit të moteve 2019-2020, ky ndërrim i moteve 2020-2021, sipas Bujar Jupajt nga KEDS-i, ka qenë më i stabilizuar duke iu falënderuar motit të butë dhe gatishmërisë së ekipeve në terren.

Petrit Pepaj, drejtor i ZRRE-së, lavdëroi gjithashtu punën e gjithë hallkave që mundësojnë furnizimin me energji elektrike, duke potencuar se Kosova është vonuar në instalimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Në fund ministri Blerim Kuçi duke u ndërlidhur me fjalën e drejtorit të ZRRE-së, ka folur për kapacitetet e reja gjeneruese.

“Jemi në rregull me kapacitetet gjenerike nga energjia e ripërtëritshme, mirëpo stabilitet energjetik kemi vetëm nga gjenerimi me anë të thëngjillit, pasurisë sonë natyrore. Kjo është dëshmuar që është edhe më e sigurt, po në këtë kohë kur kemi pasur fazën tranzitore të operimit si të pavarur, e që kemi pasur bllokadë nga linjat e transmisionit me Serbinë”, ka thënë ministri Kuçi në fund të takimit, duke i falënderuar secilin nga pjesëmarrësit, mirëpo edhe gjithë stafin mbështetës të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Arb Manaj është shpallur Sportisti i Vitit 2020 në…