Kudusi Lama: Flaka e Janarit ndriçues i të ardhmes kombëtare shqiptare
Fjalë rasti në përvjetorin e Manifestimit Kombëtar kulturor ”Flaka e Janarit”, në Gostivar, më datë 17.01.2025
Të nderuar të pranishëm.
Flaka e Janarit – një element ndriçues i të ardhmes kombëtare. Që përcjellë mesazhin e vlerësimit dashamirë të historisë e veprave kombëtare të shqiptarëve, që e kanë përjetësuar emrin në këtë histori lavdie.
Emri shqiptar është simboli i qëndresës në emër të jetës përballë vdekjes. Prandaj shqiptarët e meritojnë jetën më shumë se gjithkush, sepse i janë përkushtuar nëpër shekujt për ta mbajtur pranë vetes. Gjithnjë duke kaluar para vëzhgimit paragjykues të fuqive të mëdha e qëndrimeve dhe veprimeve raciste të fqinjëve revanshist e pushtues.
Por shqiptarët nuk u ndalën para sulmeve gjenocidale të sllavëve e grekëve mbi tokat e jetën e shqiptarëve. E tashmë ka ndryshuar koha. Të jesh shqiptar e të flasësh me zë të lartë në çdo vend e mjedis, nuk ka më askush frikë.
Rruga e ecjes kombëtare shqiptare është në ngjitje. Forcat kombëtare është në rritje. Dhe kjo është mirë. Veç nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se armiqtë shovinistë nuk e kanë pushuar luftën kundër nesh. Duhet të dimë se ata e kanë kuptuar se veprimtaria e tyre vrasëse, shpërngulëse, masakruese, gjenocidale, kolonizuese, asimiluese, nuk ia arriti t’i zhdukte shqiptarët. Prandaj të ndërgjegjësohemi e të ndërmarrim hapa, për t’u vënë përballë veprimeve më të sofistikuara të fqinjëve shovinist, të cilët do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të na vënë përballë sfidave, duke gjetur mënyra të tjera për të na ndalur ngjitjen dhe për të na kthyer në rrokullisje. Këtë ta kemi në vëmendje. Ka shumë rëndësi.
Tashmë duhet të kuptojmë se nuk është koha kur nuk merreshim seriozisht për çka thoshim e çka kërkonim. Por këtë kohë nuk duhet lejuar ta çojmë dëm, duke u marrë me vogëlsira e me prapësi, të cilat nuk na shërbejnë. Por edhe që na i nxitin armiqtë. Sepse armiqtë janë aty. Askush mos të mashtrohet. Megjithatë duhet thënë se ne nuk jemi të interesuar të derdhim gjakun e tyre. Por as nuk lejojmë që ata të kenë mundësi të derdhin gjakun tonë.
Sot edhe faktori e opinioni ndërkombëtar për shqiptarët ka ndryshuar. Nuk merren më seriozisht prej këtij opinioni shpifjet e fqinjëve shovinistë kundërshqiptarëve. Ashtu sikurse po paraqiten edhe studiues nga vendet fqinje që po kanë guximin të pranojnë se me shqiptarët është vepruar armiqësisht dhe janë vlerësuar me keqdashje.
Lufta e shqiptarëve ka qenë gjithnjë luftë për dinjitet, luftë për jetën, luftë për të ardhmen. Ashtu edhe luftë kundër katastrofës së vijueshme fqinjësore, që punuan egërsisht për të bërë që të mos kishte Shqipëri. Por shqiptarët bënë të kishte edhe Shqipëri edhe shqiptarë, si dhe të zhduknin lëkundjet në vlerësimet nga bota perëndimore, gjë që nuk vihet në diskutim në ditët e sotme.
Dhe megjithëse kemi arritur në këtë stad sa të kërkojmë të frymëzohemi prej asaj çfarë po ndodhë me kombin tonë, nuk duhet t’i harrojmë brengat që kemi përjetuar, për të mos qenë më kurrë të brengosur. Por kërkohet gjithashtu të jemi të gjithë punëtorë dhe ushtarë për ta bërë tokën tonë dhe kombin tonë të sigurt dhe të begatë në familjen e kombeve krenar të botës së sotme e të ardhme.
Ka ardhur koha ta bindim veten se jemi më të mëdhenj se jeta, jemi më përpara se ajo dhe kemi fuqinë ta ndërtojmë si duam ne. Se ne jemi pjesë e një populli, i cili po mundohet ta bëjë jetën më të mirë për veten dhe për të tjerët. Dhe kurrë nuk do të heqim dorë prej kësaj. Ashtu sikurse kurrë nuk do të harrohen armiqtë dhe fatkeqësitë që na kanë shkaktuar.
Prandaj ata që drejtojnë shtetet tona e kombin tonë, duhet të jenë prej atyre që mbajnë barrë të rënda, jo prej atyre që flasin fjalë të mëdha. Duhet të jenë prej atyre që e kuptojnë qartë çfarë do të thotë atdhe e komb dhe besnikërinë e dashurinë ndaj tyre.
Përkujtimi i dëshmorëve dhe heronjëve të kombit, duhet të na shërbejë në theksojmë e ritheksojmë historinë tonë, për të kuptuar edhe më saktë se çfarë kuptimi ka nocioni atdhetar. Sepse të quhet atdhetar është lehët e të jesh atdhetar është barrë e rëndë. Se për të qenë i tillë, duhet të duash me shpirt e zemër në dorë atdheun e shqiptarëve dhe popullin shqiptar, të jesh ai që mbron me vetmohim interesat e tyre; që je patriot i palëkundur përballë sfidave; që jo vetëm e shpreh dashurinë për atdheun, por frymëzohesh prej asaj dashurie dhe i je besnik përjetësisht asaj dashurie.
Mjer ai komb që lind atdhevrasës për interesat e armiqve a edhe kombeve të tjera në tërësi. Në arenën e jetës dhe luftës kombëtare janë parë edhe të tillë. T’i luftojmë me forcë kudo që shfaqen. Të mos i falim kurrë. Kjo është kërkesa e kohës tonë për ta bërë atdheun dhe kombin të sigurt.
Koha e sotme është e vështirë. Ka shumë propagandë për ta kaluar atdheun e kombin në plan të dytë, duke vënë pasurimin në plan të parë. Por ata që marrin në dorë fatet e kombit e të atdheut të shqiptarëve, duhet të jenë të qartë se është keq të përpiqesh të gëzosh të sotmen, duke harruar të djeshmen dhe duke mos menduar për të nesërmen.
Kanë thënë se: Historia ashtu siç ka ndodhur as nuk zhbëhet më e as nuk është politikë, ajo është e do të mbetet në tërë kohrat taban për t’u mbështetur sa më fort për të siguruar të ardhmen. Kjo duhet mbajtur në qendër të vëmendjes.
Shqiptarët as kanë kërkuar e as kërkojnë privilegje racore. Por as nuk lejoojnë që të tjerët të thirren në privilegjet racore të kombit të tyre, sipas imagjinatës që kanë, në dëm të kombit tonë. Sepse po shihet, se fqinjët tanë edhe përkatësinë fetare, po përpiqen ta kthejnë në privilegj racor, a thua se Zoti është vetëm i tyre dhe mban në prehër vetëm ata. A thua se Zoti i përket nacionalitetit të tyre. Por kjo është në të drejtën e tyre. Ama me mendime të tilla nuk duhet t’i lejojmë ta kthejnë shikimin as nga shqiptarët e as nga tokat e shqiptarëve. Kjo po, është detyra jonë dhe këtë detyrë duhet ta kryejmë.
Ne shqiptarët e duam e nderojmë dhe e mbrojmë atdheun e kombin tonë, pa përçmuar e luftuar atdheun e kombin e të tjerëve. Ky është kushti bazë.
Faleminderit.
Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension