Kufijtë janë të vendosur dhe nuk ndryshohen!
Shkruan: Skender Gashi
Po shihet se janë duke u bërë lojëra të këqija për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo lojë është e pamundur të realizohet për arsye se Kosova është shtet i pavarur me kufij të pranuar pas daljes nga lufta dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Me këta kufij na kanë pranuar 116 shtete të botes (nder to shtetet më të mëdha të botës SHBA, Gjermania, Anglia, Franca).
Nëse preken këta kufij, mund të hapet Kutia e Pendores dhe Ballkani mund të kaloj në një krizë politike, ku do të preken kufijtë edhe në shtetet e tjera, sepse vetvetiu proceset jo të mira të kaluara deri tani e mundësojnë këtë ndryshim.
Po shihet se Brukseli me përfaqësueset e tyre znj. Mogherini dhe znj. Kocijançiq, nuk janë duke vepruar në mënyrë të drejtë.
Ju bëjë thirrje Brukselit të vendosin ashtu siç është e vërteta, mos t’i mbajnë letrat nën tavolinë dhe të mos vendosin zjarr në Ballkan.
Këto fjalë po i them sepse ka një kohë të gjatë që jam duke bërë hulumtime e vizita në pjesën veriore të Kosovës, Zveqan, Zubin Potok, Leposaviq, dhe në bisedë me qytetarët nuk shihet se gjendja është ashtu siç e përshkruan Brukseli dhe Beogradi.
Qytetarët janë të interesuar që të jetojnë të lirë në shtetin e tyre ashtu siç kanë jetuar edhe më parë, por kanë frikë nga grupet kriminale që veprojnë në pjesën veriore.
Kur flitet për Trepçën, kjo ndërmarrje ka qenë, është dhe do të jetë pronë e Kosovës.
Ju bëjë apel institucioneve të Kosovës, nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, në veçanti deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, që të jenë më shumë në terren dhe të vizitojnë votuesit nga të cilët kanë marrë votat, t’i vizitojnë ndonjëherë edhe qytetarët e pjesës veriore e t’i pyesin për problemet me të cilat ballafaqohen, e jo të mbyllen vetëm në parlament, të fyhen në mes vete, e të bëhen përrallë para qytetarëve të Kosovës.
Deputetët mos t’i vizitojnë qytetarët vetëm në fushata elektorale, vetëm kur kanë nevojë për vota, por t’ju gjinden pranë qytetarëve kur kanë nevojë.
Këtë kërkesë ma kanë përcjell qytetarët e pjesës veriore kur unë i kam vizituar në Leposaviq, Cerraj, Koshutovë-Vllahi, Bistricë, Zveqan, Boletin, Kelmend, Zubin Potok, Bernjak, Ujman.
Mjaft më me fraza, duam punë dhe rezultate konkrete!
Kur është çështja të vendosja e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe anulimi i saj që kërkohet nga lider dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, unë nuk pajtohem me ta ndërprerje të taksës.
Nëse pyetet populli, pjesa më e madhe e popullit duan që taksa të qëndroj, sepse Serbia është duke përdorur metodat më të ndyta kundër Kosovës në të gjitha sferat dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Me Serbinë duhet të veprojmë në mënyrë reciproke.
Nga kjo analizë del se kryeministri Ramush Haradinaj me ekipin e tij, taksen e kanë vënë me arsye të fortë, dhe Serbia njëherë e mirë duhet ta kuptoj se Kosova është shtet i pavarur, dhe duhet ta pranoj këtë realitet.
I vetmi kryeministër i cili që dy dekada solli vendime konkrete dhe që dridhi Serbinë dhe Brukselin duke i zgjuar nga gjumë, është Ramush Haradinaj. Në këtë drejtim duhet përkrahur deri në fund.