Kufizimi i lëvizjeve dhe tregtisë sjell vlerën më të lartë të euros që prej 2018

30 mars 2020 | 17:15

 

Valutat e huaja vijojnë forcimin përballë lekut në tregun e brendshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehet me 131.03 lekë, vlera më e lartë që prej vitit 2018.

Krahasuar me një javë më parë, euro është rritur me mbi 5 pikë. Rritje ka pasur dhe dollari, që sipas Bankës së Shqipërisë këmbehet me 118.3 lekë.

Valutat filluan rritjen në momentin që qeveria vendosi kufizime të lëvizjeve të qytetarëve, pasuar me mbylljen e një numri të lartë aktivitetesh ekonomike.  Sipas ekspertëve dhe aktorëve të tregut, valutat e huaja po rriten prej reduktimit të tregtisë për shkak të kufizimeve kufitare prej situatës së krijuar nga coronavirusi i ri.

Gjithashtu oraret e reduktuara të qarkullimit të qytetarëve ka sjellë një rënie të shkëmbimeve valutore. Të vetmit që janë duke blerë euro, janë aktivitetet e tregtimit ushqimor, pasi duhet të sigurojnë furnizimet për 3 muaj, shkruan “euronews”.

Një arsye tjetër janë reduktimi i fluturimeve, por edhe rënia e remitancave, të cilat sillnin një sasi të lartë të valutave në treg. Sipas ekspertëve kjo rritje është artificiale dhe valutat do të ulen kur aktiviteti ekonomik t’i rikthehet normalitetit.

Ata kanë pohuar se eksportuesit vendas do të përfitojnë nga rritja e valutave, sidomos e euros, por individët të cilët kanë kredi në valutë do të jenë ata që do të kenë humbjen më të madhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet shëndetësore në Kosovë nuk po arrijnë të monitorojnë rastet dhe gjendjen…