Kujdes me fqinjët: As superioritet dhe as inferioritet, por dinjitet
Prof. Dr. Lisen Bashkurti
Jemi në Ballkan. Teoria “zero probleme me fqinjët” është sa utopike, aq dhe diletante. Ballkani vazhdon të njihet dhe konsiderohet si “fuqi baroti”. Kjo sepse Ballkani është një fabrikë e ndryshkur nacionalizmash.
Konfrontimi i nacionalizmave Ballkanik e shndërroi këtë rajon në një “fuqi baroti”. Kësaj “fuqie” i hodhën benzinë edhe Fuqitë e Mëdha në sisteme të ndryshme ndërkombëtare. Aq thellë është ngulur metafora “fuqi baroti” në memorien ndërkombëtare për Ballkanin saqë është tejet e vështirë që imazhi i tij të ndryshojë.
Përkundër gjithë kësaj situate mjerane imazhi, shtetet e Ballkanit, në vend që të punojnë së bashku për të ndryshuar imazhin e tyre, vazhdojnë diku më shumë e diku më pak t’i rikthehen recidivave të së kaluarës.
Supremacia greko-serbe…
Për më shumë se një shekull e gjysme nacionalizmat greke (megaliidea) dhe serbe (Nacertanie) kanë synuar të shtrijnë hapësirat e tyre gjeopolitike mbi territore e popuj të tjerë, kryesisht shqiptare.
Nacionalizmi grek i rrëmbeu shqiptareve rreth 17 mijë kilometra katrorë, gjithë Çamërinë. Ndërsa nacionalizmi serb i rrëmbeu shqiptarëve mbi 30 mijë kilometra katrorë, deri në Molle të Kuqe.
Në tërësi populli shqiptar u tkurr prej agresionit grek e serb nga 92 mijë kilometra katrorë në rreth 40 mijë kilometra katrorë që i përkasin dy shteteve shqiptare, Shqipëri e Kosovë.
Kjo dramë historike shqiptare është konsideruar triumf grek e serb mbi shqiptarët. Në rrafshin politik e diplomatik ky triumf është kthyer në një sjellje stereotipe supremacie greke e serbe mbi dy shtetet shqiptare. Të dy këto shtete, Greqia e Serbia nuk po arrijnë dot të çlirohen nga hijet e mëngjesit. Pra nuk po heqin dorë nga recidivat e së kaluarës ndaj shqiptarëve.
Inferioriteti shqiptar ka marrë fund
Shqiptarët janë realitet diakronik, pra i thellë dhe dioptrik, pra i gjerë Ballkanik. Milan Shuflai, albanologu i madh Slloven, me të drejtë thoshte se “çdo histori për Ballkanin fillon me shqiptarët”.
Në kohet moderne shqiptarët kanë lënë pas “mëkatet” e së kaluarës dhe po ndriçojnë si populli më konsistent pro Perëndimorë në Ballkanin Perëndimorë.
Nga kjo aleancë e pathyeshme shqiptarët fituan dy shtete të pavarura e sovrane, Shqipërinë dhe Kosovën si dhe po zgjerojnë hapësirat e lirive etnike dhe njerëzore edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe në Greqi. Realitetet kane lëvizur pro faktorit shqiptar që po fiton përmasa, fuqi dhe status në rritje në hapësirën gjeopolitike Ballkanike.
Shqiptarët kërkojnë dinjitet
Duke mbajtur parasysh ndryshimet e mëdha në peizazhin politik Ballkanik, politika dhe diplomacia shqiptare në qendrat shtetërore, Tiranë e Prishtinë ose në qendrat etno-politike në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi po kërkon të rivendosë reciprocitetin në marrëdhëniet me fqinjët.
Vendosja e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare është një normë e njohur, pranuar dhe respektuar ndërkombëtarisht. Hapi politiko-diplomatik i shqiptarëve në këtë drejtim diktohet nga një stad i ri i raporteve objektive shqiptaro-greko-serbe në Ballkan.
Për arsye mediokriteti, të ndikimeve politike e gjeopolitike apo për shkaqe të turbullta mjaft njerëz të politikës dhe medies në Shqipëri e Kosovë po e interpretojnë këtë sjellje të re politiko-diplomatike shqiptare ndaj Athinës dhe Beogradit si një kalim ekstrem, nga trashëgimia e inferioritetit tek arroganca e superioritetit.
Shqiptarët duan dinjitet
E vërteta është ndryshe. Sjellja politiko-diplomatike shqiptare ndaj Athinës e Beogradit nuk synon me as supremaci dhe as inferioritet, por dinjitet. Dinjiteti është morali legjitim i reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sidomos kur përmasat, fuqia dhe statusi i Kombeve është i barabartë ose i përafërt siç janë në kohen tonë shqiptarët, grekët dhe serbët në Ballkan.
Pra është koha as për superioritet dhe as për inferioritet, por për dinjitet. Politika dhe diplomacia shqiptare dinjitetin po kërkojnë. Dhe kanë të drejtë. Dhe me siguri do ta arrijnë…
Lehjet e zagarëve të rrugës nuk mund t’i ndalin dhe as t’i devijojnë shqiptarët nga destinacioni i tyre historik. Churchilli thoshte se “ai që vrapon pas zagarëve të rrugës nuk arrin kurrë në shtëpi”.
Shqiptarët nuk do të ndjekin zagarët e rrugës, por do të ecin drejt destinacionit të tyre historik…një komb i bashkuar në Evropën e bashkuar. E kjo nuk bëhet mbi teorinë “zero probleme me fqinjët”, por me doktrinën “dinjitet me fqinjët”.