KUJDES: Mos votoni për emra, por për vlera!
Shkruan: Astrit Gashi
Edhe pse është e vështirë të gjesh 100 emra në të gjitha listat e partive që përfaqësojnë vlera të mirëfillta, kjo mbetet detyra jonë si qytetarë të përgjegjshëm dhe të angazhuar për të ardhmen e vendit.
Ju lutem, kujdes të veçantë:
• Asnjë votë për nepotizmin, për “djalin e filanit” apo “qikën e fistekut,” përveç nëse ata dëshmojnë se kanë vlera reale, profesionalizëm dhe kompetenca të padiskutueshme.
• Asnjë votë për klanet kriminale, që të gjithë i njihni, dhe që kanë dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës.
• Asnjë votë për ata që, për vite të tëra, nuk kanë bërë asgjë për popullin, por vetëm kanë shfrytëzuar pushtetin për përfitime personale dhe klanore.
Është një fatkeqësi kombëtare që femra shqiptare në listat zgjedhore shpesh trajtohet si një numër për të plotësuar kuotat ligjore, e jo si përfaqësuese e vlerave dhe kapacitetit të vërtetë. Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht, duke mbështetur gra dhe burra me vizion, përkushtim dhe programe konkrete për të mirën e qytetarëve.
Mos të votoni fare? Nuk është zgjidhje!
Mosvotimi është dorëzim dhe shmangie nga përgjegjësia qytetare. Në vend të kësaj, kërkoni me kujdes brenda listave njerëzit që përfaqësojnë vlera, integritet dhe ide të qarta për zhvillimin e vendit. Është detyra jonë të shpëtojmë Kosovën nga nepotizmi, korrupsioni dhe antivlerat.
Këshillë: Mos votojmë për 10 të parët në të gjitha listat zgjedhore. Kjo është një nga format më të mira për të ndëshkuar listat e dobëta dhe për të treguar se qytetarët kërkojnë ndryshim, vlera dhe përfaqësim të denjë!
Zgjidhni me mençuri – e ardhmja e Kosovës varet nga zgjedhja juaj që të mos kemi parlament të dobët!
Të shpetojmë Kosovën!