‘Kujdes, mund të përfundosh në gjykatë’: Peci dhe Rexhepi përplasen në mbledhjen e qeverisë
Një përplasje e papritur ka ndodhur të enjten në mbledhjen e qeverisë në mes të zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi dhe ministrit Faton Peci.
Bëhej fjalë për një autorizim që po e kërkonte ministri Peci nga presidentja Vjosa Osmani për një marrëveshje në mes të ministrisë së tij dhe GIZ-it gjerman.
Peci në fjalën e tij ka treguar për rëndësinë që e kishte një marrëveshje e tillë.
“Lidhja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse do të ndikojë në rritjen e punësimeve në zonat më pak të zhvilluara, rurale”, ka thënë Peci.
Së pari, ka folur edhe ministri Nenad Rashiq, i cili ka kërkuar kritere më pak të kushtueshme dhe të cilat do të favorizonin komunitetet pakicë.
Por, më pas ka reaguar Rexhepi, e cila ka përkrahur kërkesën e Rashiqit, duke i nisur kritikat ndaj Ministrisë së Bujqësisë për mospërkrahje të duhur të komuniteteve pakicë.
Peci është shprehur se që këto kritere të lehtësoheshin për komunitetet nuk ishte e mundur.
“Është krejt e pavërtetë ajo çka thotë znj. Rexhepi që komunitetet nuk kanë përfitu asgjë. Përkundrazi, kanë përfitu mjaft… Mjafton të shkosh në Mamushë… Ndërsa ato kërkesat që t’i i ke në vazhdimësi që unë të shndërrohem në një ministër siç ka qenë Rikallo, ajo nuk mund të realizohet”, ka thënë Peci.
Kurti në anën tjetër ka dhënë mendimin e tij. Ai duket se i ka dhënë të drejtë pikërisht Rashiqit, dhe jo ministrit Peci.
Kryeministri ka thënë se duhet mbështetur komunitetit, dhe veçanërisht komunitetin serb duke i thënë Rashiqit se i dukej e drejtë një gjë e tillë.
“I nderuari Peci ju lutem të jeni të kujdesshëm. Mund të përfundoni në gjykatë”, i ka thënë Rexhepi ministrit Peci.
“Mendojmë që anëtarët e pakicës kanë të drejtë në buxhetin e shtetit të vet. Dhe në atë kontekst në gjithë këto vite kemi kërkuar që të zbuten kriteret për dhënien e projekteve për komunitetet joshumicë”, ka thënë ajo.