Kujdes! Një tjetër lojë e rrezikshme po qarkullon në rrjetet sociale
Nuk ka kaluar shumë kohë kur loja e rrezikshme “balena blu” që përfundonte me vetëvrasje, u popullarizua së tepërmi dhe autorët synonin adoleshentët si targetgrup. Fatmirësisht, kjo lojë globale në rrjetet sociale e përhapur edhe në Shqipëri, u zbulua dhe krijuesit e saj u arrestuan.
Por, një tjetër lojë virtuale e ngjashme po qarkullon së fundmi. Një karakter kukull, i quajtur “Momo”, i përdorur në këtë lojë të re, synon fëmijët. Por si funksionon kjo lojë? “Momo” është një sfidë që inkurajon fëmijët të shtojnë një kontakt në Whatsapp. Ky kontakt i ri do t’u dërgojë vazhdimisht imazhe të dhunshme dhe hapi i fundit i lojës përfundon me vetëvrasje. Kjo lojë u krijua pas një fotografie të një skulpture femër që qarkullonte në internet.
Skulptura, me karakteristika groteske, u krijua nga një artist japonez i kukullave, Midori Hayashi. Kukulla “Momo” ka sy të mëdhenj, një karakteristikë kjo e dukshme. Pavarësisht krijimit të kësaj kukulle, artisti Midori nuk ka lidhje me këtë lojë të rrezikshme që qarkullon. Kjo sfidë që ka futur në “rrjetën e saj” tashmë fëmijë në SHBA, Argjentinë, Francë, Meksikë e Gjermani, mund të lidhet me vdekjen e një 12-vjeçareje nga Argjentina. Autoritetet e Buenos Aires po hetojnë lidhjen mes vdekjes së vajzës dhe kësaj loje të quajtur “Momo”.