Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?
Ndue Ukaj
Ne një vend normal, sa herë që bëhen debate të ndjeshme, që lidhen me arsimin, universitetin, institucionet e dijes, kulturën, librin e fushat e tjera esenciale, ministrat dhe kryeministrat, zakonisht pëlqejnë të heshtin, shfaqen në publik të përmbajtur dhe këto çështje ua lënë në duar profesionistëve. Por te ne ndodh krejt e kundërta. Ministra dhe kryeministra çohen peshë dhe nuk lënë gjë pa komentuar, ndonëse kapacitetet e tyre në këto fusha janë të mjera. Kjo mund të jetë edhe pasojë e profesionistëve gjysmakë që kanë vërshuar në jetën publike, si dhe shprishjes së rendit të vlerave në shoqërinë tonë.
Sidoqoftë, problemi i edukimit është shumë më i thellë dhe shumë më esencial sesa që duket.
E pyetja e pashmangshme që shtrohet është: Kujt i shërben një shoqëri me edukim gjysmak?
Dhe përgjigjja është e qartë: një elite politike gjysmake, të shkretë në punët e dijes dhe të kulturës, me plot hendeqe, i duhet një shoqëri me edukim gjysmak, ndaj edhe bën çmos që ta mbajë universitetin dhe dijen nën kthetra politike.
Vendimi për mbylljen e tri universiteteve, ndonëse është i një rëndësie të posaçme dhe prioritare, përshkohet nga turfullima dhe gulçima publike. Pa dashur të gjykoj rreth vendimit, për mua të habitshme janë reagimet. Në këtë aspekt, ajo që më bëri përshtypje më shumë se turfullimat e tjera, ishte një deklaratë çoroditëse e kryeministrit rreth vendimit për t’i mbyllur tre universitete, një deklaratë që do të duhej ta shtangte çdo njeri normal. Sepse, ajo deklaratë tregon qartë sa të ndërlikuara janë problemet e shoqërisë sonë dhe sa pak vullnet ka për t’i rregulluar ato.
Dihet, asnjë shoqëri deri me sot nuk është zhvilluar pa arsimim, pa libra dhe pa edukim të njëmend. Te kjo forcë emancipuese janë shpresat e fundit – krejt të fundit – prej ku mund të pritet, një ditë, mëkëmbje shpirtërore dhe ekonomike e Kosovës së dërrmuar ndaj, të mbash shkolla dosido, më shumë i bën dëm sesa dobi shoqërisë.
Duke i futur duart kaq thellë në universitet, duke kontrolluar çdo gjë, duke punësuar gra e burra, militantë, vëllezër e motra dhe çka jo tjetër, universitet tona janë kthyer, siç thotë një mik imi, në ente sociale, të ngjashme me entet sociale që trajtojnë papunësinë në Perëndim.
Përgjatë këtyre dy dekadave prej kur jemi të lirë, para syve tanë janë shfaqur gjithfarë anomalish dhe marrish të pashembullta që brumin e kanë pasur tek universiteti. Dhe universitetet, në vend se të prodhojnë lajme të mira dritëdhënëse, kanë prodhuar tensione dhe lajme të këqija. Dhe kjo ka bërë që dija të deinstitucionalizohet dhe padija të institucionalizohet. Sepse, universiteti, si koncept, ka humbur forcën morale për të çuar përpara kauza diturore, të emancipimit dhe kulturimit. Përkundrazi, universitet tona janë kthyer në çerdhe militantësh e të paditurish, ku është certifikuar dhe vazhdon të certifikohet mediokriteti, me letra të quajtura diploma e tituj të pafund.
Aspak më mirë nuk është gjendja në shkollat private, të cilat, ashtu sikurse të gjitha universitetet që janë mbjellë nga politika dhe për interesa politike, duhet të mbyllen. Atyre ndonjëherë mjafton t’ua lexosh shpalljet me plot gabime logjike dhe drejtshkrimore për t’i kuptuar krejt të metat e tjera.
Derisa po lexoja nëpër botën e hallakatur të internetit për çështjen e mbylljes së universiteteve, m’u kujtua shkrimtari meksikan David Toscana që shkruan për edukimin gjysmak dhe rrezikun që i vjen një shoqërie nga fenomeni i tillë, sidomos kur shkollat kthehen në fabrika që prodhojnë punëtorë. Ai më tej shton: “Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet”.
Natyrisht, një qeveri që udhëheq me koncepte primitive, ku vlerat janë të shpërfytyruara, nuk mund të ndihet komode në një vend ku njerëzit kanë ambicie, shpresa dhe dinjitet, dhe ku leximi është kryetema e shoqërisë, ndaj pushtetarët tentojnë t’i kontrollojnë këto fusha me rëndësi vitale për shoqërinë. Në këtë mënyrë ata konsolidojnë pushtetin e tyre dhe tek universiteti shohin zgjatimin e jetës së tyre.
Ata që e kanë lexuar “Don Kishotin” e Servantesit, këtë vepër kapitale të njerëzimit, e dinë mirë se heroi i kësaj vepre besonte se po ndreqte prapështitë e botës, duke luftuar me mullinjtë e erës. Fan Noli thoshte se librat Don Kishotit ia kishin shtrembëruar mendjen.
Pa dyshim, shkollat e këqija njerëzve ua shtrembërojnë mendjen. Sepse, dihet, një shkollë e keqe i deformon njerëzit dhe ne kemi plot shkolla të këqija.
Lidhur me këtë temë, ja çfarë shkruante Atë Paulin Margjokaj në librin “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë”: “…A krijoi shteti shqiptar shkolla qi me e prue lumninë Shqiptarëvet? Njerëzve të shtetit tonë nuk u ra kurrkund nder mend se perparimin nuk mund e japë nji shkollë çfaretdo: ka shkolla qi bijnë shkatërrim e qi bijnë ma fort dam se dobi. Shteti shqiptar nuk çeli shkollat qi do të kishin mujtë me i pru lumninë popullit e qi përkojshin me gjendjen e vendit”.
Ne tanimë e kemi provuar se shkollat, dosido, më shumë bëjnë shkatërrim sesa dobi.
Ndaj, nëse duam të jemi të sinqertë me vetveten, sidomos me breznitë që do të vijnë, e të cilat do të na gjykojnë, duhet ta pohojmë me zë të lartë se universitetet e hapura pas luftës në Kosovë nuk janë hapur për qëllime diturore e as pse ka pasur nevojë për to. Ato janë hapur për interesa krejtësisht politike, për të rehatuar militantë e servilë të partive dhe, si të tilla, duhet të mbyllen.
Dhe kjo duhet të bëhet për një qëllim të lartë, sublim: të mos ua shtrembërojmë mendjen të rinjve tanë dhe të mos krijojmë mediokritet me diploma. Sepse, askush më lehtë se shkollat dhe universitet e këqija nuk mund ta betonojnë të keqen në një shoqëri.
Sot për sot, fuqitë tona diturore, krijuese, shkencore dhe edukuese janë të pakta dhe kjo gjë nuk mund të fshihet për aq sa nuk mund të fshihet dielli me shoshë.
Duke humbur betejën për arsim cilësor, dije e librin, ne kemi humbur forcën kryesore drejtpeshuese në shoqëri, pa të cilën shoqëria mbetet më pak humane dhe lehtësisht bëhet instrument i politikës.
Prandaj, sot për sot, shërbim më të mirë vendit tonë mund t’ia sjellim duke e kthyer arsimin në binarë normalë. Në këtë drejtim, për mua, më shumë ka vlerë taksa ndaj injorancës sesa ndaj Serbisë. Sepse, duke fituar betejën me injorancën dhe edukimin gjysmak, ne i garantojmë Kosovës prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.