Kujtesa lajthit klientët për Klan Kosovën “
Kujtesa nuk po ndalet se lajthituri klientët e vetë dhe publikun kosovar në lidhje me të drejtat e transmetimit të kanalit Klan Kosova.
Operatori në fjalë ka dal me një shkrim në portale, ku mundohet të dëshmojë se ka një kontratë valide për ta dhënë programin e Klanit, deri më 30 qershor të vitit 2021.
Këtë është përpjekur ta ilustrojë me një paragraf ku, në fakt thuhet se marrëveshja mes këtij operatori dhe Klan Kosovës hyn në fuqi më 1 korrik 2012 dhe përfundon më 30 qershor 2017.
Një gjë të tillë e dëshmon edhe kopja e plotë e kontratës shtatë faqëshe që e posedon televizioni.
Vazhdimi i pikës që Kujtesa e ka dhënë shkurt, thotë se kohëzgjatja e vlefshmërisë së kontratës vazhdon në mënyrë automatike për periudha të mëtutjeshme njëvjeçare, derisa ajo nuk anulohet nga cilado prej palëve, me një njoftim paraprak për palën tjetër, prej të paktën tre muajve më herët.
Klani, në mars të vitit 2018 ka njoftuar të gjithë operatorët, përfshirë Kujtesën, për çfarë dëshmon edhe dokumenti, se Barlet Imami, si drejtor i Zyrës Ligjore të televizionit, është i vetmi që ka kompetenca të plota për nënshkrime të kontratave dhe autorizimeve me përmbajtje të tilla.
Imami thotë se prej që mori këtë detyrë nuk nënshkroi asgjë me Kujtesën.
“Nuk kam nënshkruar kurrgjë”, është shprehur Imami.
“Marrëveshja ka skaduar në qershorin e 2017-ës. Nuk kemi marrëveshje legale me këtë operator pas kësaj date”, ka shtuar ai.
Ai thotë se Kujtesa po vazhdon të dezinformojë publikun.
“Që nga koha kur ushtroj detyrën e Drejtorit të Zyrës Ligjore ky operator nuk është afruar për marrëveshje ose bashkëpunim. Sot përmes artikujve të sponsorizuar Kujtesa ka dalë me një deklaratë duke u munduar që të arsyetohet tek opinioni dhe abonentët e vetë se ka marrëveshje për transmetim deri në qershorin e 2021-ës. Kjo është e pavërtetë”, ka shtuar Imami.
Një ditë më parë televizioni pyeti në Kujtesa për çështjen e diskutueshme, por përgjigje nuk mori, as të premten.
E merret vesh se operatori në fjalë u ka thënë klientëve të vetë që i janë ankuar, përgjigje të ndryshme në lidhje me telashet që ka për transmetimin e Klanit. Herë u ka thënë se vetë ka telashe teknike që shumë shpejt do të rregullohen, e në raste tjera se televizioni ka problem.
Këtë e dëshmojnë edhe shumë porosi që i erdhën Klanit në komunikime të ndryshme, një nga të cilat është kjo. (Klankosova.tv).