Kujtim Gashi, më i votuari në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së në Prizren
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zgjedhur dje Shaqir Totajn kryetar të Degës në Prizren, me unanimitet të plotë në Kuvendin zgjedhor ku ishin të pranishëm 434 delegatë.
Po ashtu, delegatët kanë zgjedhur edhe 71 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues si dhe 40 delegatë për Konventën Qendrore të PDK-së.
Kujtim Gashi aktualisht ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se në kuvendin zgjedhor të PDK-së në Prizren ka dalë më i votuari.
“Në kuvendin zgjedhor të PDK-së në Prizren, të mbajtur dje, mora plot 287 vota nga delegatët e pranishëm në Kuvend. Me këtë mbështetje dola më i votuari në zgjedhjet e djeshme partiake në degën më të madhe të PDK-së në Kosovë. Kjo mbështetje është përgjegjësi e re për mua dhe mesazh për të punuar edhe më shumë për fuqizimin e #Dekadës së Re. Faleminderit përzemërsisht delegatëve dhe strukturave të partisë!”, ka shkruar Gashi.
/Epoka e re/