Kujtim Gashi: Serbia po pengon funksionimin e RYCO-s
Republika e Kosovës këtë vit e kryeson njërin prej mekanizmave më të rëndësishëm të të rinjve siç është Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rini (RYCO).
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është përfaqësues i Qeverisë së Kosovës që kryeson RYCO-n këtë vit.
Ai ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” se sot ishte paraparë të merren disa vendime të rëndësisë së veçantë në takimin e Bordit të RYCO-s, por fatkeqësisht, mungesa e përfaqësuesit nga Serbia i cili u shkarkua të martën nga Qeveria e Serbisë vetëm pse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen, bëri që mbledhja e Bordit të RYCO-s të ndërpritet në mungesë kuorumi.
“Serbia me këtë veprim po e pengon funksionimin e RYCO-s, dhe nuk po i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar në Berlin përkitazi me funksionimin e këtij mekanizmi i cili ka për objektiv bashkimin e të rinjve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta nga gjashtë vendet anëtare të RYCO-s (Kosova, Shqipëria, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia). Përkundër këtyre pengesave, ne zotohemi se do ta drejtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme bordin e RYCO-s dhe nuk do të lejojmë që për politika ditore, Serbia ta bllokojë funksionimin e RYCO-s”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/